Shkruan: Dafina AVDIJA-DOBRESHI, Psikologe klinike..
Historikisht filozofët kanë pasur mendime të kundërta mes vizionit, se trupi dhe mendja janë pjesë të të njëjtit sistemi dhe idesë se ato janë pjesë të ndara. Në kohët e lashta bëhet e qartë raporti rreth marrëdhënieve mendje – trup.
Edhe pse nuk kemi mundësi të mbështetemi në shumë kultura të hershme, ajo ç’ka rrezulton është se mendja dhe trupi nuk janë konsideruar si një e vetme. Dhe si rrjedhojë ideja e sëmundjeve specifike tek njeriu formohet pikërisht nga ky konflikt i brendshëm i individit.
Sëmundje dhe çrregullime të shumta bëjnë që miliona njerëz të vuajnë dhe duke menduar se këto sëmundje shkaktohen kryesisht nga faktorët psikologjikë dhe kështu ekzistojnë mundësi të mëdha për t’i përmisuar këto dhe një arsye mjaft e qartë është marrëdhënia mes personalitetit dhe sëmundjes. Kohët e fundit është shfaqur në masë një lloj sëmundje apo çrregullim mund ta quajmë, në varësi të nivelit të saj, që prek më së shumti femrat dhe pikërisht gratë, nënat e reja pas lindjes së foshnjave të tyre, pasi dihet se javët e para pas lindjes janë shumë të lodhshme, por edhe stresuese dhe ankthioze duke marrë në konsideratë se nëna mund ta ketë për herë të parë këtë lindje e sidomos nëse ato nuk ndahen me pjesëtarë të tjerë të familjes. Ky ç’rregullim është quajtur stresi ose depresioni pas lindjes. (Postpartum depression ).
Depresioni pas lindjes ndonjëherë është normal , ndërsa ndonjëherë është serioz dhe tepër i rrezikshëm. Ai nuk përfshin vetëm një status të caktuar social apo kategori të veçantë, por çdo grua mund të jetë subjekt i tij. Në këtë fazë të re të jetës, sidomos kur nëna e ka rastin e parë të lindjes së saj, ajo ndikohet shumë nga ndjenjat dhe emocionet e ndryshme, qofshin këto emocione e ndjenja pozitive apo negative.
Depresioni pas lindjes është i ndryshëm nga depresioni i përgjithshëm, është i lidhur veçanërisht me lindjen dhe mund të ndikojë te një grua në këtë kohë.
– Simptomat (shenjat) e këtij depresioni janë – Manifestime të ndryshimit të humorit, kriza hormonale, qarje pa shkak, trishtim, alergji në disa raste dhe reagime të shpejta dhe të shpeshta emocionale, gjithashtu gratë mund të përjetojnë probleme të pagjumësisë dhe shpesh ndodh që të përjetojnë ndjenjën e fajit, të pafuqisë dhe mungesës së efikasitetit në kujdesin ndaj fëmijës dhe s’mund t’i japë foshnjës vëmendjen dhe kujdesin e duhur, por edhe nëse e arrin këtë e bën mekanikisht, pa asnjë kontakt emocional me të. Kjo gjëndje zakonisht shfaqet nga java e dytë pas lindjes dhe ky lloj i depresionit quhet depresion i maskuar që nuk është i qartë dhe është i padukshëm nga pjesëtarët e tjerë të familjes.
Ndërsa, depresioni i dukshëm që vihet re lehtë mund të shfaqet pas një apo dy muajsh pas lindjes, por edhe pas një periudhe akoma më të gjatë.
– Simptomat e tyre janë – Mbingarkesa emocionale, nervozizëm të tepruar, ankth të përgjithshëm dhe nëna nuk është më në gjëndjen e saj normale, por fillon të vuajë haluçinacione dhe të imagjinojë gjëra që janë jo reale dhe të rrezikshme dhe sigurisht një neglizhencë ekstreme ndaj fëmijës deri në braktisje të tij.
– Ka shumë faktorë që luajnë rrol në arritjen e kësaj faze, ato fillimisht mund të jenë të papërgatitura për një shtatëzani të mundshme, veçanërisht nëse për nga natyra ato janë shumë të ndjeshme, kanë gjasa më tepër për të zhvilluar depresionin pas lindjes.
Faktorë të tjerë janë faktorët fizikë, psikologjikë dhe emocionalë.
Ndryshimet fizike pas lindjes mund të ulin estrogjenin dhe progesteronet në trup, pasi të dy këto hormone janë rregullatorë të rëndësishëm të trupit të femrës, duke ndikuar në bukurinë, ndjeshmërinë e lëkurës dhe feminilitetin, si dhe janë përgjegjës për fillimin e ciklit menstrual. Kjo e bën gruan të ndihet e demoralizuar, e lodhur, letargjike dhe në ankth e depresion. Shpesh i mundon fakti që ato janë bërë më pak të bukura dhe tërheqëse, pikërisht për shkak të shtatëzanisë dhe trupit të deformuar, duke pasur në brendësi një konflikt me vetveten dhe vuajnë ndjenjën e humbjes së kontrollit mbi trupin dhe identitetin e tyre, e deri në humbje të kontrollit të jetës.Ndryshimet me apetitin (oreksin) kanë rritje apo zvogëlim të dietës ushqimore dhe ç’rregullim të tij . Humbja totale e energjisë dhe motivimit në punë dhe familje, duke u ndjerë të padobishme në lidhje me veten, fëmijën dhe njerëzit që e rrethojnë.
Të gjitha këto çojnë në mendime negative si vetëvrasja, pasi e sheh situatën tejet të vështirë dhe pa zgjidhje e rrugëdalje të mundëshme.
-Trajtimi i depresionit postpartum-Trajtimi i parë bëhet përmes psikoterapisë.
Psikoterapia ndihmon në lidhje me shqetësimet, ndjenjat, zgjidhjen e problemeve dhe përcaktimin e qëllimeve realiste duke i’u përgjigjur situatave në mënyrë pozitive.Ndërhyrja dhe ndihma e psikologut është e domosdoshme, pasi ai jep opsionet më të mira të trajtimit në bazë të ashpërsisë së simptomave, duke bërë vlerësimet dhe ekzaminimet e duhura.
Diagnostifikimi dhe fillimi i një trajtimi sa më të hershëm nga ana e punonjësit të shëndetit mendor në këtë situatë është shumë efektiv dhe përmirëson dukshëm aftësitë dhe mirëfunksionimin e vetë nënës, por edhe të familjes dhe marrëdhënien sociale të saj. Faktorë të tjerë lehtësues janë edhe mbështetja e pakushtëzuar e bashkëshortit, por edhe e pjesëtarëve të tjerë të familjes, pasi neglizhimi i situatës çon gjithashtu në një ndikim negativ të fëmijës në marëdhënien me nënën .
Ajo nuk duhet te ndihet e diskriminuar qoftë nga bashkëshorti qoftë nga pjesëtarët e tjerë të familjes së saj apo edhe të afërmit përreth, përkundrazi ato duhet t’i qëndrojnë pranë dhe të konsultohen me maturi për çdo nevojë të saj, duke e pasur vëmendjen e tyre vazhdimisht me të. Ajo duhet të ndihet mirë në një mjedis familjar të ngrohtë, pasi ardhja në jetë e një fëmije është si shkak i të dy prindërve, ndaj të dy ato luajnë rol aktiv në mirërritjen e tij dhe të dy duhet t’i ndajnë përgjegjësitë mes tyre, por gjithashtu edhe pjesëtarët e tjerë duhet të kontribuojnë sadopak, me qëllim që mos t’ia lënë të gjithë barrën vetëm nënës.
Gjithashtu, pasja e ndonjë shoqeje apo mikeje të afërt luan një rol të veçantë tek ajo, pasi mund të ndajë çaste dhe emocione me të, duke reduktuar sadopak ankthin dhe stresin e saj.
– Një rol jo pak të rëndësishëm zënë vend edhe aktivitetet sportive brenda dhe jashtë shtëpisë, pasi ato nxisin sekretimin e endorfinës e cila është përgjegjëse për aktivizimin e shumë proçeseve trupore, që në vetvete ulin stresin dhe reduktojnë dhimbjet e trupit duke përmirësuar gjëndjen e mirë të humorit.
Shkruan: Dafina AVDIJA-DOBRESHI, Psikologe klinike..
(Referencat: Postpartum_depressionJohn L. Beard, et. al .; J. Nutr. 135: 267-272, 2005. // Soares CN, Zitek B. Reproductive hormone sensitivity and risk for depression across the female life cycle: a continuum of vulnerability? J Psychiatry Neurosci. 2008 Jul; 33 (4): 331-433)