Shkruan: Msc. Kosovare Gjevukaj, Psikologe Klinike
Stresi dhe llojet e tij
Stresi sot është bërë një çështje shumë e popullarizuar. Të gjithë ne, kohë pas kohe, përjetojmë stres. Por çfarë është stresi? Stresi është përjetim i ngjarjeve si rrezikim i mirëqënies fizike dhe psikologjike. Këto ngjarje janë të njohura si stresuese, kurse reagimet e njerëzve ndaj tyre quhen reagime ndaj stresit. Në një klasifikim më të përgjithshëm, stresi ndahet në: Eustres-stresi pozitiv, ose i dobishëm; dhe Distres-stresi negativ ose i dëmshëm. Por, në varësi të kohës, kemi edhe stresin afat gjatë dhe stresin afat shkurtër. Stresi afat gjatë është shumë i dëmshëm, madje shkakton dëmtime dhe çrregullime në pjesët e ndryshme të organizmit. Shtrohet pyetja se sa ka ndikim stresi te ne? Stresi mund të ketë ndikim serioz në shëndet, sidomos nëse ai bëhet kronik. Ai godet sistemin nervor, zemrën dhe qarkullimin e gjakut, sistemin imunitar, deri në ankth dhe vështirësi në të kuptuar, etj. Por nëse kemi pak stres, është normale, madje edhe e nevojshme për të pasur një jetë të ndryshueshme. Përgjithësisht, përgjigjia ndaj stresit mund të jetë e dobishme kur reaksioni i shpejtë ndaj tij bëhet i dobishëm. Përballimi i stresit
Stresi është i pashmangshëm në jetë, por ajo që ne mund të bëjmë është përpjekje për ta menaxhuar atë. Menaxhimi i stresit ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll të shkallës së stresimit në të cilën ndodhemi, si dhe me ndikimin drejt zvogëlimit të tij. Në fushën e menaxhimit të stresit përmenden lloj-lloj strategjie e teknike, ndërmjet të cilave janë analizuar e verifikuar si efektive, veçmas: përkrahja emocionale nga të tjerët, meditimi dhe relaksimi. Krizat jetësore, tragjeditë, e po kështu edhe stresi, përballohen më lehtë kur ndahen me të tjerët. Format e ndryshme të meditimit gjithashtu janë dëshmuar si efektive në përballimin e stresit. Ato janë shfrytëzuar fillimisht te popujt e Lindjes, e sot janë marrë dhe shfrytëzohen dëndur edhe në Perëndim. Zotërimi i relaksimit të muskujve është një shkathtësi e vlefshme për kontrollimin e stresit dhe zvogëlimin e dhembjes që shkakton ai. Stresi dhe relaksimi nuk mund të mos ekzistojnë. Relaksimi është thelbësisht çlirim nga stresi, me këtë rast trupi vjen në gjendje pushimi dhe mund të kthjellohet. Menaxhmi i dobët i stresit mund të shkaktojë edhe mungesën e koncentrimit, frymëmarrjen e shpejt, rrahjet e shpejta të zemrës, pagjumësi, lodhje të përgjithshme te disa njerëz etj. Por ne kemi shumë në dorë për parandalimin e stresit, sepse përrmes një jete të shëndetshme gjithkush mund të mbajë larg stresin.