Shkruan: Edelina SMAKAJ….
Ndryshimet që pëson shoqëria në tërësi ndikojnë në qëndrimet dhe sjelljen e tërë anëtarëve të saj. Por pavarësisht kësaj, gratë dhe burrat kanë një “orë sociale” në mendje, e cila i ndihmon ata që të gjykojnë nëse sjelljet e vetes së tyre dhe të njerëzve të tjerë janë duke ndodhur herët, vonë apo në kohën e duhur.
Mirëpo, koha e përshtatshme për një ngjarje zhvillimore të veçantë mund të ndryshojë nga një gjeneratë në tjetrën. Kështu, p.sh., në vitin 1960, p.sh., të rriturit pranonin se vajzat duhet të martoheshin mes moshës 17-20 vjeç; në vitin 1980, nuk mendohej se ishte vonë nëse një vajzë martohej rreth 25-26 vjeç.
Qysh nga viti 1980 e deri më sot, fuqia ndikuese e “orës sociale” ka ardhur duke u dobësuar. Normat tradicionale dhe pritshmëritë moshore kanë ndryshuar, dhe koha e përshtatshme për të ngjarje të tilla si: martesa, karriera dhe prindërimi po bëhen përherë më pak të lidhura me moshën kronoligjike.
Ndonjëherë duket se rinia e sotme po provon atë që Bernice Neugarten (1979) e quajti mosha – shoqërisht e palidhur, në të cilën nuk ka një moshë të përcaktuar rigorozisht ku personi të marrë rolin e prindit, studentit, punonjësit, gjyshit dhe kështu me radhë. Në një moshë-shoqërisht të palidhur, detyrat zhvillimore mbeten të njëjta, megjithëse të rriturit e rinj nuk e ndiejnë nëse ora e tyre sociale është herët apo vonë, sepse ata përshpejtojnë ose shtyjnë rolet sociale të të rriturve.
Është evident fakti që një numër në rritje i të rinjëve është duke shtyrë për më vonë martesën e tyre. Kjo dukuri ndeshet më e dëndur tek gratë e klasës së mesme, kryesisht tek ato që përfundojnë kolegjin ose univeristetin, ose tek ato që ndjekin arsimin pasuniversitar ose kualifikime profesionale shtesë.
Familja gjithashtu ka ndryshuar. Në kohët e sotme, gratë presin më gjatë pas martesës për të kompletuar familjen e tyre. Dita ditës ato po ndërgjegjësohen për të përdorur forma të ndryshme të kontrollit mbi lindjet. Planifikimi i lindjeve po çon drejt krijimit të familjeve të vogla. Shumica e çifteve të reja ose kanë ose duan të kenë një ose dy fëmijë. Numri i lindjeve është ulur ndjeshëm. Në disa nga vendet e zhvilluara është konstatuar se shumica e lindjeve po vijnë nga gra më të mëdha se 30 vjeç.
Përveç dominimit të familjeve të vogla në numër, tashmë edhe martesa ka filluar të jetë më pak e pëlqyer mes të rinjëve, krahasuar me disa vite më parë. Të rinjtë priren të jetojnë në çift por pa u martuar. Ky fenomen ka çuar në uljen e numrit të martesave. Disa studime të kryera në SHBA tregojnë se martesat legale kanë ardhur duke u ulur që nga viti 1940, viti kur u shfaq për herë të parë bashkjetesa. Por gradualisht me rritjen e kësaj dukurie është konstatuar edhe ulja e numrit të divorceve. (Bureau of Census, 1990b).
Një ndryshim tjetër social që ka marrë vëmendje nga kërkimi është pamja e jashtme fizike e të rinjëve të sotëm. Ushqyerja e mirë, higjena dhe rritja e mjeteve mbrojtëse për shëndetin, kanë ndikuar për t`i bërë gratë dhe burrat që të duken më të rinj dhe më atraktivë sesa prindërit dhe gjyshërit e tyre kur ishin në të njëjtën moshë. Kështu p.sh., 35 – vjeçarët e viteve 1930 apo 1940 dukeshin më të vjetër në pamje sesa 35 – vjeçarët e viteve 2000 apo 2008.
Shkruan: Edelina SMAKAJ….
(Burimi: Neugarten & Neugarten, 1986)