Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Periudha e foshnjërisë përfshinë dy vjetët e para të jetës së fëmijës. Një kohë të gjatë është menduar se fëmia i posalindur është plotësisht i pafuqishëm, i paaftë për të mbijetuar i pavarur dhe se është plotësisht i varur nga prindërit. Njohuritë më të reja nga kjo fushë tregojnë se që nga momenti i lindjes, i posalinduri ka disa reflekse të lindur, të cilat i mundësojnë të mbijetuarit.
Shumica e këtyre reflekseve zhduken disa muaj pas lindjes dhe zëvendësohen nga veprimet e mësuara motorike. Reflekset më të rëndësishme te i posalinduri janë: refleksi i kollitjes dhe teshtitjes me anë të të cilave bëhet pastrimi i rrugëve të frymëmarrjes, refleksi i të ushqyerit kur në të prekurit e buzëve fëmija e kthen kokën dhe fillon të thithë, si dhe refleksi i kapjes.
Ekzaminimi i reflekseve iu mundëson mjekëve që herët t’i zbulojnë çrregullimet e sistemit nervor. Në periudhën e foshnjërisë është e shprehur rritja trupore, por ndryshime qenësore ndodhin edhe në zhvillimin e lëvizshmërisë. Aftësitë motorike zhvillohen me të njëjtin rend si edhe pjesët e trupit para lindjes.
Në muajt e parë fëmia së pari e ngrit kokën, në muajin e tretë fillon nga pozita e shtrirë në shpinë të kthehet barkazi.
Në mes të muajit të gjashtë dhe të tetë fillon të rrij ulur drejt, e më pastaj të zhagitet dhe të ngrihet në këmbë. Në fund të vitit të parë ngrihet në këmbë dhe qëndron pa u mbajtur, derisa disa fëmijë arrijnë t’i bëjnë edhe hapat e parë.
Gradualisht zhvillohet edhe lëvizshmëria e muskujve të vegjël, ashtu që në fund të vitit të parë fëmija me lehtësi kap dhe manipulon me gjëra të vogla.
Në këtë periudhë faktorët më të shpeshtë, të cilët mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin psikofizik janë: komplikimet e mundshme gjatë lindjes së parakohshm, peshë e ulët e të posalindurit, sëmundjet, të ushqyerit e dobët dhe moskujdesia.
Në vitin e parë të jetës zhvillimi kognitiv i fëmijës karakterizohet më së shumti me zhvillimin e të vrojtuarit dhe të memories, kurse në vitin e dyte me zhvillimin e të folurit. Aftësitë shqisore të fëmijës zhvillohen shumë herët. Disa orë pas lindjes fëmija kërcen ( trembet ) prej zërave të lartë, por pas disa ditëve e njeh zërin e nënës së vet. Foshnja më tepër i don zërat e njerëzve se të tjerëve dhe kënaqet kur i flasim ose i këndojmë me zë qetësues.
I sheh mirë gjërat e mëdha në largësi prej 20 cm ( largësi në të cilën të rriturit e mbajnë fëmijën derisa e ushqejnë). Gjatë një hulumtimi, është konstatuar se i posalinduri me moshë prej 36 orësh mund të dallojë mimikën e gëzueshme, të pikëlluar dhe të befasuar të fytyrës së personit të rritur.
Gjithashtu është vërtetuar se fëmijët më shumë reagojnë ndaj ngacmimeve në rrethinë, të cilat ndryshojnë, derisa për ngacmimet e njëjta pushon interesimi i tyre dhe e largojnë kokën nga ato. Për këtë arsye, për zhvillimin intelektual të fëmijës është me rëndësi të sigurojmë një ambient të pasur me ngacmime vizuele dhe dëgjuese: muzikë, të folurit, lodra, fotografi ( ilustrime ).
Në fushën e zhvillimit social-emocional menjëherë pas lindjes fëmija shumë qartë fillon t’i shprehë ndjenjat që janë të drejtuara më së shumti nga ndonjë rrezik i mundshëm dhe nga të prekurit me personat përreth.
Përmes shprehjeve të emocioneve ai e paralajmëron rrethin për atë çka nuk i përshtatet, por gjithashtu edhe me buzëqeshje dhe gugatje di të tregoj kënaqësinë e vet.
Kjo është periudha kur paraqitet lidhja e fortë emocionale me nënën. Gjat vitit të dytë të jetës fëmija vendos lidhje emocionale edhe me anëtarët e tjerë të familjes.
Mendohet që ajo lidhshmëri e hershme reciproke është e rëndësishme për zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit të fëmijës, ashtu që shumë sjellje asociale dhe vështirësi emocionale në moshën e rritur i përshkruhen pikërisht mungesës së kujdesit, dashurisë dhe ngrohtësisë në atë periudhë më të hershme të jetës.
Ndjenja tjetër, të cilën gjatë periudhës së foshnjërisë fëmija qartë e shpreh, është frika. Kjo ndjenjë më së shpeshti shfaqet përmes dridhjes ( trembjes ) së ekstremiteteve, shtangimit dhe të qarët e zëshëm.
Menjëherë pas lindjes spontanisht paraqiten dy lloje të frikës: frika nga zërat e lartë dhe frika nga humbja e bazës ( mbështetjes ), ndërsa në vitin e dytë të jetës paraqitet edhe frika nga ndarja ( prej personave të afërm ) dhe frika nga të panjohurit. është vërejtur se këto frika paraqiten te të gjitha foshnjat, prandaj supozohet se nuk janë rezultat i të mësuarit, por rrjedhin si rezultat i mekanizmave të trashëguara mbrojtëse, të cilat janë të nevojshme për të mbijetuar.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….