Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Jo të gjithë fëmijët kanë siguri në të folur. Kjo ndodh pasi fëmija gjendet në situata ku i ulet besimi se ai
është pronar i gjuhës dhe i aftë të shprehë lirisht çdo gjë. Besimi në aftësinë për të folur është shumë i
rëndësishëm për zhvillimin psikik, shpirtëror dhe social për fëmijën.
Gjuha e çliruar është një energji e re dhe shpërthimi i saj është njëkohësisht shpërthim i zhvillimit harmonik të rritjes së fëmijës. Shumë prindër e përjetojnë me shumë ankth belbëzimin e fëmijëve të tyre, edhe pse nuk kanë arsye të jenë të shqetësuar.
Rreth moshës dy-tre vjeç, është e zakonshme që fëmijët të ngecin kur thonë fjalë të caktuara. Ndodh që fjalitë të përmbajnë fjalë jo të plota. Fëmijët vetë, zakonisht nuk e ndiejnë se po flasin në mënyrë jo të saktë dhe e kalojnë këtë gjë pa ndonjë ndihmë të veçantë.
Nëse prindërit nuk i ndihmojnë dhe kjo dukuri vazhdon për një kohë të gjatë (më shumë se dy – tre muaj), shfaqet belbëzimi si një shenjë e pengesës në komunikim, gjë që e streson fëmijën. Në këtë rrethanë, fëmijët fillojnë të belbëzojnë sepse kanë humbur sigurinë e komunikimit. Ky është belbëzim i menjëhershëm i moshës, i cili tejkalohet.
Mesatarisht në çdo njëzet fëmijë të moshës parashkollore, njëri belbëzon në një periudhë të caktuar, dhe kjo ndodh më shumë tek djemtë.
Disa fëmijë mund të kenë probleme të mësojnë ritmin e duhur të të folurës, por shumica nuk kanë probleme mjekësore apo zhvillimi. Belbëzimi mund të shtohet kur një fëmijë është në ankth, i lodhur, i sëmurë ose kur është i emocionuar dhe përpiqet të flasë shpejt.
Disa fëmijë belbëzojnë kur mësojnë shumë fjalë të reja njëkohësisht. Në raste të tjera mendimet e fëmijës ecin më shpejt se e folura dhe ai humbet fi llin e asaj që po thotë. Përsëritja e një toni të caktuar apo të një fjale, e ndihmon atë të rifi -llojë.
Çfarë duhet bërë:
• Sa më shumë i irrituar të bëhet një fëmijë për belbëzimin e tij, aq më shumë probleme do të ketë. Dëgjoni kur ai flet, por mos e korrigjoni.
• Disa fëmijë kanë vështirësi në shqiptimin e bashkëtingëlloreve ose në shqiptimin e plotë të fjalëve dhe i flasin ato përgjysmë.
• Është shumë e vlefshme që këta fëmijë të kenë mundësi të flasin për një kohë të gjatë me njerëz të rritur dhe të besueshëm për fëmijën, duke i dhënë atij mundësi të marrë pjesë në bisedë.
• Në të njëjtën kohë ju mund të jepni shembullin e mirë duke folur qetësisht, saktë dhe me një fjalor të thjeshtë kur i drejtoheni fëmijës tuaj. Nëse fëmija juaj belbëzon, ndihmojeni duke folur më ngadalë se zakonisht. Ju duhet të caktoni një orar të qetë çdo ditë, për të luajtur dhe folur qetësisht me të.
• Ju mund ta rrisni vlerësimin e tij për veten, duke e lavdëruar për të gjitha gjërat që bën mirë dhe duke mos i dhënë rëndësi vështirësive të tij në të folur. Nëse bëni kështu, fëmijët që kanë një belbëzim të vërtetë mund t’i kapërcejnë këto probleme para fillimit të shkollës.
• Kur belbëzimi i fëmijës është i rëndë, një trajtim mjekësor (terapi të foluri) mund të ndihmojë për të ndrequr këtë problem. Nëse fëmija juaj përsërit shpesh tinguj apo pjesë të fjalëve, është gjysmë i ndërgjegjshëm dhe tregon shenja të dallueshme tensioni (tik nervoz në fytyrë ose ngërdheshje), njoftoni pediatrin.
• Mund të ndodhë që fëmija të ketë vështirësi psikologjike për shkak të rrethanave ku rritet, ose probleme të ndërtimit të aparatit gjuhësor. Gjithashtu njoftoni pediatrin nëse ka pasur ndonjë histori të ngjashme belbëzimi në familje. Ai mund t’ju rekomandojë një specialist.
Çfarë nuk duhet bërë:
• Mos bini në sy para fëmijës, sa më shumë të jetë e mundur. Nëse ju nuk i jepni rëndësi, as fëmija juaj nuk do t’i japë rëndësi dhe do ta kalojë shpejt këtë pengesë.
• Nëse fëmija juaj nuk shqipton mirë një fjalë, korrigjojeni, por gjithmonë ëmbël. Ashpërsia e shqetëson fëmijën dhe shton belbëzimin.
• Mos e shtrëngoni asnjëherë me zor “të shfaqë” përballë të tjerëve përparimet e tij: fëmija vihet në siklet kur duhet të recitojë një vjershë ose t’i tregojë të ftuarve si i thotë mirë disa fjalë, gjë që me të vërtetë mund ta shtojë belbëzimin.
• Në çdo rast, mos qeshni kurrë me të, mos e tallni nëse i shqipton fjalët në mënyrë qesharake: do të ndihej keq dhe i frikësuar përpara se të mund të fliste.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…