Shkruan: Verona GJERGJI, Logopede…
Fjalët e para të fëmijës janë po aq emocionuese për prindërit dhe familjarët sa edhe hapat e parë. Po sikur fëmija të mos japë shenja komunikimi dhe fjalët e para aq të shumëpritura nga prindërit të mungojnë ose të vonojnë?
Sot, këshillohet konsulta me logopedistin për prindërit e shqetësuar për zhvillimin e të folurit të fëmijës.
Po cili është roli i logopedistit dhe kur është e nevojshme logopedia?
Logopedisti është një specialist që parandalon, evidenton dhe trajton çrregullimet e gjuhës, komunikimit, zërit dhe gëlltitjes në fëmijë dhe adultë.
Prinddërit vënë re që diçka nuk shkon te fëmija i tyre, por nuk dinë nga t’ia fillojnë.
Ata e kanë të vështirë të dallojnë nëse problemi i fëmijës së tyre është për tu shqetësuar ose është një fazë kalimtare normale.
Kështu, për shembull, fakti që një fëmijë tre vjeç nuk thotë /r/ nuk konsiderohet shqetësuese. Nga ana tjetër, një fëmijë që nuk thotë shkronjën e parë të fjalës duhet vlerësuar…
Hapat e zhvillimit gjuhësor nga lindja në 5 vjeç
Më poshtë paraqiten gurët themelore të zhvillimit gjuhësor të fëmijës:
Nga lindja në 6 muaj
- Tingujt: zanoret (a, o, u) dhe lojë vokale.
6-12 muajsh
- Fjalët: Fëmija fillon të bashkoje bashtingëlloret me zanoret si /ma, ba/ dhe t’i përsërisë “baba”, “bamaba”, etj.
- Tingujt:/p/, /b/, /m/ zakonisht të ndjekur nga /h/, /y/, /u/, /n/, /d/.
- Të tjera: Fillon të përgjigjet ndaj emrit.
1 vjeç
- Fjalët: 2 deri në 6 fjalë të tjera, përveç “mami”, “babi”.
- Tingujt: Mund të dëgjoni /t/, /g/, /k/, /s/.
- Të tjera: Fillon të përgjigjet me po/jo.
2 vjeç
- Fjalët: 50-200 fjalë dhe fjali me dy fjalë.
- Tingujt: /n/, /d/, /l/.
- Të kuptuarit nga të tjerët: Fëmija duhet të kuptohet nga personat jofamiljare 50% të kohës.
- Të tjera: Tregon me gisht objekte dhe pjesë trupi.
- Ndjek udhëzime me dy hapa.
3 vjeç
- Fjalët: 300-1000 fjalë dhe fjali me tre fjalë.
- Tingujt: /f/, /r/, /l/, /q/, etj.
- Të kuptuarit nga të tjerët: Fëmija duhet të kuptohet 75 % të kohës nga persona jofamiljarë.
- Të tjera: Përdor përemra, kohën e tashme dhe parafjalët.
4 vjeç
- Fjalët: 1600-2000 fjalë.
- Tingujt: /z/, /th/, /dh/, /j/, /v/, /ç/, /sh/.
- Të kuptuarit nga të tjerët: Fëmija duhet të kuptohet 90-100% të kohës nga persona jofamiljarë.
- Të tjera: Kupton të kundërtat dhe konceptet kohore.
5 vjeç
- Fjalët: 2200-2500 fjalë
- Tingujt: /ll/, /zh/, /gj/, etj.
- Të kuptuarit nga të tjerët: Fëmija duhet të kuptohet nga të tjerët 100% të kohës.
- Të tjera: Bën pyetje e përgjigjet dhe ndjek udhëzime me tre hapa.
Sinjalet e alarmit për çrregullimet e të folurit
- Një bebe e qetë që nuk nxjerr tinguj dhe nuk bën lojë vokale.
- Një fëmijë që nuk reagon ndaj zhurmave.
- Një fëmijë që nuk ka thënë asnjë fjalë deri në 15 muaj.
- Një fëmijë që nuk është social dhe shmang kontaktin me sy.
- Një fëmijë 2 vjeç e sipër me fjalor më më pak se 50 fjalë.
- Mos-ndjekja e udhëzimeve të thjeshta nga 2 vjeç e sipër.
- E folura e fëmijës 3 vjeçar nuk kuptohet nga personat jofamiljarë.
- Janë të pranishme gabime të shpeshta në shqiptim pas moshës 5 vjeç
- Evidentohen vështirësi të njohura si belbëzimi.
Në të gjitha rastet e mësipërme këshillohet një vlerësim logopedik, që do të qartësonte prindërit rreth shqetësimeve që kanë për fëmijët e tyre dhe do t’i orientonte për hapat e metejshëm.
Ndërhyrja e hershme logopedike jep rezultate më të larta në rikuperimin e zhvillimit të të folurit.
Po ashtu, parandalon probleme të tjera pasuese si: vështirësite mësimore, destabilitetin emocional dhe mungesën e vetëbesimit që shfaqen te fëmijët me çrregullime të gjuhës dhe komunikimit.
Shkruan: Verona GJERGJI, Logopede…