Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede…
Një nga temat më të diskutuara në shoqërinë tonë është ajo e zhvillimit gjuhësor te fëmijët.
Shumë prindër por dhe specialistë të ndryshëm të rritjes, zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijës përballen me pikëpyetjen e madhe: “Në cilin nivel të zhvillimit gjuhësor duhet të arrijë fëmija në varësi të moshës së tij?”
Të gjithë jemi të vetëdijshëm që zhvillimi gjuhësor te fëmija nuk fillon pas lindjes por që kur ai ndodhet në barkun e nënës. Jo më vonë se java e 20-të e shtatëzanisë thonë studimet më të fundit.
Ekzistojnë një sërë faktorësh që ndikojnë në zhvillimin dhe përvetësimin e gjuhës. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që çdo fëmijë është një individ i veçantë, unik në aftësitë e tij.
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, Wolfang Wendlandt solli atë që quhet “Pema e gjuhës”. Pema e gjuhës simbolizon faktorët që ndikojnë në zhvillimin e gjuhës te fëmijët.
Rrënjët rriten në mjedisin përreth tij, në atë kulturor, ambientin familjar dhe shoqëror. Ato përfaqësojnë parakushtet e nevojshme për një zhvillim të shëndetshëm të gjuhës.
Nëpërmjet të qeshurës dhe të qarës zhvillohen perceptimi dhe aftësitë motorike të aparatit të të folurit. Të gjitha aftësitë sensoriale, si të parit, të dëgjuarit, të prekurit, janë të nevojshme për zhvillimin e aftësive komunikuese dhe koordinimin e aftësive të motorikës globale e asaj fine.
Zhvillimi konjitiv dhe maturimi i trurit janë gjithashtu parakushte të nevojshme. Ndërkohë zhvillimi socio-emocional krijon bazat për ndërtimin e besimit në aftësitë individuale dhe te të tjerët, duke nxitur njëkohësisht dhe zhvillimin gjuhësor.
Për të kaluar te trungu, rrënjëve të pemës u nevojitet integrimi senso-motorik, pra lidhja e perceptimit dhe veprimit. Nëse një ose më shumë rrënjë mungojnë (dëmtohen ose nuk formohen shëndetshëm), zhvillimi gjuhësor do të ballafaqohet me pengesa. Këto pengesa mund të reduktohen duke stimuluar të folurin.
Në këtë mënyrë shmangim mungesën e kontaktit me sy, mospërsëritjen e të folurit, vështirësinë e përfundimit të të folurit (mendimit), vështirësinë në përqëndrim, mungesën e dëshirës për të folur.
Në trungun e pemës paraqiten kënaqësia nga realizimi i të folurit, si një nga parakushtet e mëtejshme për të zhvilluar rrënjët por dhe si motivim për të nxitur gjuhën dhe të kuptuarit e të folurit, sepse pa të nuk do të mund të prodhonim gjuhën.
Kurora e pemës është ndarë në disa degë, të cilat përfaqësojnë fushat e zhvillimit gjuhësor (artikulimi, fonologjia, morfologjia, sintaksa, semantika dhe pragmatika) që të gjitha sëbashku plotësojnë kushtet për formësimin e aftësisë për të lexuar dhe prodhuar gjuhën e shkruar.
Fëmija jep shenjat e para të komunikimit kur ai kupton se nëpërmjet të qarës mund të sigurojë ushqimin, ngrohtësinë dhe shoqërinë e familjes dhe njerëzve përreth tij.
Ndërkohë që rritet, fillon të artikulojë tingujt e parë (aa, ggg), më pas formon rrokjet e para (ma, da), të cilat çojnë në prodhimin e fjalëve të thjeshta (mama, dada).
Fjalori i fëmijës fillon të pasurohet me fjalë të tjera (emra, foljet që dëgjon më shpesh) dhe përballemi me krijimin e fjalive të thjeshta dygjymtyrëshe ( Mami topi, Pi ujë etj).
Fjalitë strukturohen e plotësohen me fjalë të tjera, kështu fëmija ka hedh hapat e parë drejt rregullave gramatikore të gjuhës. Gjithashtu ai mëson ta përdorë gjuhën në varësi të situatës, të formulojë pyetje dhe të bëhet pjesë e bisedës me të tjerët.
Nuk duhet të harrojmë 3 kërkesa themelore për mirërritjen e pemës (zhvillimin e gjuhës te fëmija), të cilat janë ngrohtësia, dashuria dhe pranimi nga ambjenti familjar e ai shoqëror (të simbolizuara në figurë nga figura e diellit).
Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede…