Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….
Zëri prodhohet nga vibrimi (dridhjet) i kordave vokale, të pozicionuara përballë njëra-tjetrës, në të dy anët e laringut. Ai dhe mekanizmat që e prodhojnë atë janë të krijuar për të zgjatur gjithë jetën.
Të kujdesesh për zërin tënd do të thotë të praktikosh higjenën vokale. Higjena vokale është një term që përshkruan sjellje të cilat suportojnë për një zë të shëndetshëm përgjatë jetës sonë.
Nga mushkëritë deri te buzët tona, rrugët ajrore përbëhen nga një ind mukozal, i cili ka nevojë për lagështirë. Eshtë e rëndësishme që trakti të jetë gjithmonë në kushte optimale, në mënyrë që të mos hasim vështirësi në prodhimin e zërit. Situatë e cila mund të çojë në çrregullime të zërit.
Për të shmangur këto probleme ekzistojnë një sërë praktikash (sjellje), të cilat do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë dhe zërin tuaj të tingullojë më mirë gjithashtu.
1.Hidratimi
– pini shumë ujë, rekomandohen 6-8 gota në ditë
– shmangni alkoolin dhe pijet me kafeinë, të cilat dehidratojnë organizmin, duke shkaktuar thatësirë përgjatë kordave vokale dhe laringut. Gjithashtu alkooli irriton membranën mukotike përgjatë fytit.
– këshillohuni me mjekun për medikamentet që përdorni. Disa prej antigripalëve dhe antialergjikëve, ndikojnë në uljen e lagështirës përgjatë kordave vokale.
2.Mbajtja e një diete dhe jetese të shëndetshme
– mospirja e duhanit dhe shmangia e ambjenteve ku pihet duhan
– shmangia e ushqimeve pikante
– konsumimi i ushqimeve që përmbajnë vitaminat A, E dhe C
– shplodhuni mjaftueshëm
– aktivitet fizik i rregullt, i cili ndihmon veçanërisht në kontrollimin e frymëmarrjes
3.Përdorni me kujdes zërin tuaj
– shmangni mbipërdorimin e zërit tuaj. Nëse zëri juaj është i ngjirur ose ndiheni të lodhur mos e sforconi
– nëse jeni sëmurë, jepini mundësinë vetes dhe zërit tuaj të shplodheni
– shmangni kruajtjen e fytit
– praktikoni ushtrime për një frymëmarrje të rregullt
– shmangni të folurin për një kohë të gjatë në telefon. Shmangni sidomos mbajtjen e telefonit mes veshit dhe shpatullës, pasi përveç lodhjes së zërit, kjo situatë do të shkaktojë dhe tension të muskujve të qafës
– shmangni të folurin me zë të lartë, sidomos në ambjentet me shumë zhurmë. Kjo do të shkaktonte tendosje të zërit
– këshillohuni me një logopedist/e, për t’ju orientuar se si ta përdorni zërin tuaj në mënyrë të shëndetshme
Shënim: – Nëse mendoni se keni një problem të zërit, drejtojuni mjekut tuaj. Mjeku ORL (otorinolaringologu) do të vlerësojë gjendjen tuaj dhe nëse do të jetë e nevojshme do t’ju drejtojë te logopedisti. Logopedisti do t’ju ndihmojë të kujdeseni dhe përmirësoni cilësinë e zërit tuaj.
Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….