Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik….
Është e qartë tashmë për të gjithë se kur një fëmijë është prezent në një situatë konflikti, ai fillon të reagojë me zemërim, trishtim e mërzitje. Personat që punojnë me fëmijën rendisin ndër problemet më shqetësuese në punën me ta edhe agresivitetin.
Si mund ti ndihmojmë këta fëmijë për të përmirësuar sjelljen dhe njëkohësisht si të përgatisim veten tonë për të punuar me këtë kategori fëmijësh?
Burimet e agresivitetit tek fëmijët.
Agresiviteti në vetvete nuk është një emocion, por një shprehje emocionesh. Nëse do ta përkufizonim do të thonim se “Është një sjellje që synon dëmtimin e një personi tjetër, si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht”.
Shprehja e agresivitetit varet nga shumë faktorë, por do të përmendim kryesisht “Modelin e të mësuarit shoqëror”. Ai mësohet kryesisht nëpërmjet shembujve në mjedisin ku jeton fëmija. E mësuar përmes shembujve, apo një perceptimi shembujsh, kjo sjellje agresive, ndikon tek fëmija në mënyra të ndryshme.
Një model sjelljeje ndoshta nuk tregon sesi të jesh agresiv, por le të nënkuptohet se të jesh agresiv është e pranueshme. Në shoqërinë ku jetojmë agresiviteti ka mënyra të ndryshme shpërblimi. Shpesh shoqëria ku jetojmë e inkurajon agresivitetin pa dashje, ose e inkurajon atë për të arritur atë që njeriu dëshiron. Rritja e ngacmimit emocional shpesh çon në sjellje agresive. Zemërimi, frika, pamundësia për të bërë atë që duam, zhvillojnë ndjenjën e agresivitetit tek fëmija apo i rrituri.
Nëse fëmijës i mungojnë aftësitë e mira shoqëruese, respekti i shokëve, atëherë ai përpiqet të fitojë vend në shoqëri përmes këtyre sjelljeve agresive. Duke u sjellë kështu, një fëmijë krijon një lloj pozite në shoqëri dhe zbut tensionin e brendshëm me shokët.
Në këtë mënyrë fëmija ka marrë një lloj shpërblimi për sjelljen e tij dhe do të ketë tendencën ta shtrijë këtë sjellje më tej.
Shoqëria, prindërit, mësuesit. shokët në të tilla rrethana reagojnë duke e ndëshkuar këtë sjellje, ose duke u mënjanuar nga këta individë. Në këtë mënyrë tek fëmija nuk lind ndonjë tendencë për ta ndryshuar sjelljen, por përkundrazi, ai rrezikon të jetë më agresiv. Këtë fenomen do të mundohemi ta shpjegojmë në paragrafët e mëposhtëm.
Cilat janë pasojat e sjelljes agresive tek fëmijët
Fëmija ndjen ndrojtje, pasiguri në veprimet shoqërore, është jorealist, ndjehet i mënjanuar nga shoqëria. Shpesh fëmija i përdor sjelljet agresive për të arritur një status apo vetafirmim në shoqëri. Ajo ndihmon në zbutjen emocionale dhe në një ndjenjë kënaqësie të drejtpërsëdrejtë. Rritja e veprimeve agresive çon në një rritje të pakënaqësisë, në bashkëveprimet shoqërore, në shmangje dhe injorim nga ana e shoqërisë. E gjithë kjo mënyrë të sjelluri rrit rrezikun vetjak tek fëmija.
Fëmija agresiv shpesh merr vetëm mesazhe negative (dënime, rrahje, ankesa etj.) dhe nga një përvojë e tillë nuk mund të marrë orientimin e nevojshëm për sjellje shoqërore konstruktive.
Është e natyrshme që kjo çon në një rritje të ndjenjës së qënies në rrezik, të cilën fëmija mundohet ta zgjidhë duke shtuar agresionin. Rrethi vicioz i agresionit, në këtë mënyrë përforcohet dhe ripërtërihet.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik….