Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik…..
Ashtu si edhe me tipat e tjerë të personalitetit, edhe në rastin e individëve obsesivo-kompulsivë, vija midis asaj që përbën stilin dhe asaj që klasifikohet si çrregullim, në përgjithësi nuk është e qartë. Ky është një gjykim që bazohet në masën me të cilën tiparet e personalitetit nuk janë fleksible dhe dëmtojnë aftësinë e individit për të dashuruar dhe për të punuar.
Individët me çrregullim të personalitetit obsesivo-kompulsiv kanë aftësi shumë të kufizuara të shprehin ngrohtësi dhe ndjenja dhembshurie kundrejt të tjerëve. Ndjenjat provokojnë ankth dhe individët obsesivo-kompulsive, për të kapërcyer ankthin përqëndrohen tek faktet në vend të ndjenjave.
Ata preokupohen me rrugën “e drejtë” të bërjes së gjërave dhe shpesh i çmendin të tjerët me insistimin për të ndjekur rrugën e tyre. Ata mund të jenë moralizues deri në një pikë rigiditeti absurd dhe pandjeshmërie ekstreme ndaj nevojave të njerëzve të tjerë. Perfeksioni dhe rutina dominojnë jetën e personave me çrregullim të personalitetit obsesivo-kompulsiv..
Tipare të tjera obsesivo-kompulsive janë kopracia, pastërtia e skajshme dhe rregullshmëria. Në skajin më të shëndetshëm të spektrit, individi me çrregullim të personalitetit obsesivo kompulsiv mund të ketë një martesë të qëndrueshme dhe punë të përgjegjshme, por është vazhdimisht me nerva të tendosura dhe në lëvizje, i pa aftë të argëtohet dhe i pazoti të arrijë kompromise në marrëdhënie të ngushta.
Kur intervistohen, njerëzit me çrregullim të personalitetit obsesivo kompulsiv ka shumë mundësi të jenë të pastër dhe me veshje të përshtatshme. Zakonisht janë kokëfortë dhe me sjellje serioze. Ata mund të flasin e të flasin me një zë dhe ton monoton, ndërsa japin shpjegime të panevojshme dhe iu përgjigjen pyetjeve me hollësi. Në të vërtetë, kur i pyesni si ndjehen, zakonisht ju japin përgjigje që mbështeten në faktet dhe rrethanat më shumë se sa në emocionet. Ata janë të ngadaltë për t’iu “ngrohur” ju dhe të shqetësuar për atë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik…..