Pyetje për Psikologun
Jam një 17 vjeçare. Më mundon frika nga njerëzit, jam në gjendje të eci natën e ditën vetëm dhe nuk kam frikë, por në momentin që shoh njerëz unë mbetem pa frymë, dridhem dhe shpesh filloj e qaj, më mundon shumë kjo sepse për këtë shkak e kam lënë edhe shkollën, jam në klasën e 11-të dhe nuk e kuptoj çfarë po ndodh me mua. Ka kohë që as në libra ku ka turma njerëzish nuk guxoj ti shoh. A ka ilaçe për mua apo çfarë duhet të bëj. Duke lexuar e pash portalin tuaj dhe ju shkruajta me bindjen se do më pergjigjet dikush për hallin tim.
Përgjigjet: Msc.Aferdita Bano, Psikologe Këshillimi, Terapiste EMDR, niveli i parë. Terapiste ABA
Me përshkrimin e shkurtër që i bëni situtës në të cilën ndodheni duket se këto simptoma ngjajnë me ato të agorafobisë. Duket qartë në tregimin tuaj se frika nga njerëzit ju ka privuar edhe nga të jetuarit normalisht përditshmërinë tuaj pasi për këtë keni lënë edhe shkollën. Dua t’ju bëj me dije se ky është thjesht një supozim pasi nuk mund të vendoset një diagnozë me kaq pak të dhëna. Ju këshilloj t’i drejtoheni psikologut për diagnostikim të saktë të rastit tuaj. Megjithatë më poshtë po ju sqaroj në lidhje me agorafobinë dhe mënyrat e trajtimit.
Agorafobia është çrregullimi i ankthit në të cilën një person përjeton frikë dhe ankth intensiv e të vazhdueshëm, i cili shfaqet sa herë që personi përballet ose parashikon të jetë në të paktën dy situata të tilla si : sheshet publike, turmat, hapësirat e hapura, transporti publik, të qenit jashtë shtëpisë, qëndrimi në rradhë etj. Shumë nga simptomat fizike të agorafobisë përjetohen në trajtën e atakeve të panikut. Personi reagon gjithnjë me sjellje shmangëse ndaj situatave agorafobike. Mendimi se ndihma mund të mos jetë e mundur shërben si shkaktar i zhvillimit të panikut ose aftësisë për ta përballuar këtë situatë së bashku me simptomat e tjera shoqëruese të atakut të panikut. Situatat agorafobike gjithnjë shmangen në mënyrë aktive Në mënyrë të përmbledhur kriteret bazë për agorafobinë përfshijnë:
* frikën dhe ankthin kur personi ndodhet në publik (hapësira të mbyllura, transportin publik kinematë etj),
* Frika e personit se mos nuk është në gjendje për të shpëtuar nga një situatë e tillë.
* shmangia sistematike ndaj situatave të tilla
* personi gjithnjë ndjen nevojën për të patur me vete një shoqërues, me të cilin ndihet më i sigurt.
* frika është e vazhdueshme ,
* kohëzgjatja e simptomave duhet të jetë 6 muaj ose më tepër për të vënë një diagnoze të saktë,
* frika nuk është në propocion me rrezikun e pranishëm.
* kjo frikë nuk duhet të jetë pasojë e ndonjë çrregullimi tjetër dhe as e ndonjë sëmundjeje mjekësore .
Trajtimi i agorafobisë në varësi të shkallës së rëndesës dhe dëmtimit të funksionimit të përditshëm trajtohet që nga seanca afatshkurtëra psikoterapeutike me CBT nëpërmjet të cilave terapisti trajnon individin se si të njohë frikërat dhe si të përballet me to si edhe nëpërmjet teknikëës EMDR ku nëpërmjet levizjeve okulare bëhet desensibilizimi dhe riproçesimi i informacionit.
Uroj ti drejtoheni specialistit pranë zonës suaj dhe të merrni një trajtim profesional në mënyrë që të vazhdoni rrjedhën normale të jetës.Duke shpresuar tju kem ardhur sado pak në ndihmë ju uroj gjithë të mirat!