Pyetje për psikologun.
- Përshëndetje, jam studente e fakultetit të Edukimit në Tiranë, po ju shkruaj rreth një problemi që kam lidhur me friken time për të fjetur gjumë. Kam shumë frikë të fle vetëm, më mundon ankthi dhe nuk arrij të mbyll sytë nga frika, se kur të më zërë gjumi do më rrëmbej dikush, Kjo ka filluar para tre vitesh kur pash një film horror në televizion dhe që nga ajo kohë gradualisht m’u shtuan disa mendime në kokë se mund të rrembehem natën, çka është më e keqja unë nuk guxoj të fle as ditën po nuk hyri nën jorgan mami apo motra edhe pse jam në moshën 19 vjeçare. Jam vizituar tek një psikologe dhe më ka udhezuar tek një psikiatër i cili më ka dhënë të përdor ilaçe të cilat në fillim më ndihmuan, por tani e kanë humbur pothuaj komplet efektin sepse dikur merrja Zypres 2.5 mg ndërsa tani marr 5 mg. Më mundon kjo gjë dhe nuk di si të veproj, sepse në vend që të përmirësohem unë po thellohem. A më ndihmoni me ndonjë këshillë por jo sikur ajo psikologia që më orientoi tek psikiatri, a ka teknika ju lutem për këtë pjesë? Ju shkruaj me shpresën që do më pergjigjeni.
Përgjigjet: Aferdita BANO, Psikologe Këshillimi
Për të dhënë një diagnozë të saktë informacioni rreth jetës suaj duhet të ishte më i plotë, megjithatë nga tregimi juaj kuptoj se mund të bëhet fjalë për klinofobinë (frika nga gjumi). Kjo fobi është e lidhur me frikën e humbjes së koshiencës ose vdekjes. Kush është i prekur nga kjo fobi e kupton qartë irracionalitetin e frikës por nuk mund të bëj ndryshe. Simptomat që paraqiten janë të larmishme: djersitja, takikardia, dridhjet, ndjenja e mbytjes etj.
Shfaqja e kësaj fobie mund të lidhet me shkaqe të rënda si është trauma infantile ose trauma të jetuara nga një i afërt. Por mund të ndodh edhe si në rastin tuaj sepse te subjektet sensibël mund të shfaqet edhe për arsye më të lehta si përshembull nga shikimi i një filmi, dëgjimi i një tregimi apo nga një ëndërr e frikshme.
Ju rekomandoj të vazhdoni terapinë me një psikolog pasi studimet tregojnë se terapia farmakologjike në këto raste vetëm zvogëlon simptomat por nuk e eleminon problemin.Teknikat e rekomanduara janë: terapia bihejviorale, psikoterapia dhe teknika e relaksimit.