Shkruan: Dr. Ilir DRAGAJ, Mjek i përgjithshëm
Sa më shumë CO2 të ketë ajri aq më të theksuara janë simptomat e ankthit dhe të panikut . Jo më kot, njerëzit që vuajnë nga ataqet e panikut nuk preferojnë ambjentet e mbyllura dhe të ajrosura keq, si psh. autobuzët, qendrat tregtare, ashensorët etj.
Co2 mund të shtohet ose oksigjeni të pakësohet në gjak edhe kur në ajër kanë përqëndrime normale. Disa arësye janë:
Mungesa e oksigjenit në gjak për shkak të anemisë. Ka disa lloje anemish. Anemia megaloblastike psh. shoqërohet shpesh me kriza paniku dhe shkaktohet nga mungesa e vitaminës B12 (gjendet me shumicë tek produktet ushqimore shtazore), ose e vitaminës B9 (gjendet tek gjethurinat). Simptomat e anemisë megaloblastike janë të ngjashme me simptomat e ankthit, si psh.: këputje, lodhje, marrje mendsh, kokë e lehtë, rrahje të shpeshta zemre, marrje fryme, ndjenjë të vjellti. Mungesë vitamine B9 shkaktohet tek përdoruesit kronikë të alkoolit, tek personat që kanë dietë të varfër në perime jeshile; kurse mungesa e vitaminës B12 krijohet tek personat veganë dhe ata që kanë mungesë aciditeti në stomak për shkak të përdorimit të antacideve ose të problemeve me stomakun.
-Niveli i lartë i CO2 në gjak për shkak të apnesë së gjumit.Apnea e gjumit ndodh kur personi nuk mer frymë normalisht gjatë natës-frymëmarrja i ngadalësohet ose ndërpritet me raste- dhe për këtë arësye ka më pak oksigjen dhe më shumë CO2 se normalja në gjak. Krizat e panikut në këtë rast ndodhin gjatë natës. Një ndër shkaqet e apnesë është mbipesha.
Shkruan: Dr. Ilir DRAGAJ, Mjek i përgjithshëm