Shkruan: Marije CULAJ, Psikologe Klinike
Anoreksia nervore është sëmundje që karakterizohet nga ndjenja e çrregulluar e imazhit trupor, frika e sëmurë për obezitet, refuzimi për të mbajtur peshën trupore normale në kufijtë minimalë dhe te gratë amenorre.
Etiologjia nuk dihet, por duket që faktorët socialë luajnë rol të rëndësishëm. Në shoqërinë perëndimore theksohet dëshira për të qënë e hollë në trup dhe obeziteti konsiderohet i pakëndshëm, jo i shëndetshëm, i padëshirueshëm. Në perëndim rreth 80-90 % e fëmijëve para pubertetit janë të vetëdijshëm për këto qëndrime dhe mbi 50% e vajzave parapubertetit mbajnë dietë për të kontrolluar peshën e tyre. Megjithatë, meqënëse vetëm një përqindje e vogël e tyre sëmuret me anoreksi nervore, duhet të ketë faktorë të tjerë të rëndësishëm. Disa njerëz ka mundësi të jenë të predispozuar për shkak të vulnerabilitetit psikologjik, gjenetik apo metabolik.
Raporti mes sekseve dhe mosha e shfaqjes – Rreth 95% e personave me këtë sëmundje janë femra. Zakonisht fillimi është në adoleshencë, rrallë është më herët dhe akoma më rrallë në moshë të rritur. Shumica e pacienteve i përkasin klasave shoqërore të mesme dhe të larta.
Simptomat – Anoreksia nervore mund të jetë e lehtë dhe kalimtare ose e rëndë dhe afatgjatë. Shumë persona që sëmuren janë kompulsivë, inteligjentë, me standarte shumë të larta për arritje dhe sukses. Treguesit e parë të çrregullimit janë shqetësimet për peshën trupore (edhe te pacientet e dobëta, dhe kështu janë shumica) dhe kufizimi në ngrënien e ushqimit. Shqetësohen dhe kanë ankth për shtimin në peshë, madje edhe kur dobësohen. Karakteristikë e dallueshme është mohimi i sëmundjes. Pacientet nuk ankohen për anoreksi apo humbje në peshë, zakonisht i rezistojnë trajtimit dhe sillen te mjeku nga familja, nga sëmundjet që ndodhin në të njëjtën kohë ose për ankesa të tjera (psh. shqetësim në stomak, konstipacion). Pacientet merakosen për ushqimin, studiojnë dietat dhe kaloritë, e grumbullojnë, e fshehin apo hedhin ushqimin, mbledhin receta dhe përgatisin ushqime për të tjerët. Pacientet janë shpesh manipuluese, gënjejnë për ushqimin që marrin dhe fshehin sjelljet, psh. të vjellat e induktuara. Ushqyerja me babezi që pasohet nga të vjellat e induktuara dhe përdorimi i laksativëve apo diuretikëve ndodh te 50% e anorektikeve. 50% tjetër thjesht kufizojnë sasinë e ushqimit që hanë. Shumica gjithashtu kryejnë shumë ushtrime fizike për të kontrolluar peshën.
Pacientet zakonisht humbasin interesin për seksin. Gjithashtu shpesh gjendet bradikardi, tension i ulët, hipotermi, flokë si lanugo dhe edema. Edhe pacientet që duken kahektike tentojnë të mbeten aktive (përfshi ndjekjen e programeve ushtrimore), nuk i kanë simptomat e mungesave ushqimore dhe nuk janë të prirura në mënyrë të pazakontë për infeksione. Depresioni është i zakonshëm.
Ndryshimet endokrine përfshijnë sekretimin e hormonit luteinizues në nivelet parapubertetit ose të pubertetit të hershëm, nivele të ulëta të tiroksinës dhe trijodtironinës dhe nivele të shtuara të sekretimit të kortizolit.
Në paciente shumë të kequshqyer, virtualisht çdo sistem i organeve madhore mund të funksionojë keq, por çrregullimet e lëngjeve dhe elektrolitike janë më të rrezikshmet. Mund të ndodhë dehidratim dhe alkalozë metabolike dhe niveli i kaliumit mund të jetë i ulur, të gjitha këto rëndohen nga induktimi i të vjellave dhe përdorimi i laksativëve e diuretikëve. Mund të ndodhë vdekje e papritur, më shpesh për shkak të takiarimisë ventikulare.
Trajtimi-Ka dy faza:
- ndërhyrjen afatshkurtër për të rifituar peshën trupore dhe për të shpëtuar jetën
- terapinë afatgjatë për të përmirësuar funksionimin psikologjik dhe për të parandaluar rikthimin e sëmundjes.
Shkruan: Marije CULAJ, Psikologe Klinike