Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik…
Kur ishte mbi të 80-at e tij, filozofi britanik Bertrand Russell, mbajti një diskutim të gjatë për matematikën teknike me tre matematicinë të shquar. Më vonë, njëri prej tyre tha: “Truri i tij ishte mrekullisht i kthjellët për moshën që ka”.
Shëmbulli i njerëzve të vjetër të jashtëzakonshëm i ka çuar disa zhvillimistë që të konkludojnë se rëndia konjitive nuk është bashkëudhëtare e paevitueshme e moshimit. Sipas tyre, një nga faktorët që ndikon fuqishëm konjicionin përgjatë moshës së rritur duket se është edukimi i personit. Faktorë të tjerë të rëndësishëm janë: personaliteti, stili i jetës dhe sëmundjet kronike.
Modelet e personalitetit mund të influencojnë në funksionimin konjitiv, veçanërisht në situatat stresuese. Disa njerëz janë shumë kompetitivë, bëhen të ethshëm nëse i pengon dhe sillen sikur të ishin gjithmonë në garë me orën/kohën. Të tjerët janë të qetë dhe nuk tregojnë së jashtmi se ndijnë presionin e kohës që kalon. Në shumë situata, rendësit e kohës janë më produktiv dhe ekonomisin më mirë pushimin sesa njerëzit e qetë. Por në situata stresuese ata shfaqin një nevojë të fortë për të ruajtur kontrollin dhe kjo gjë mund t`i shqetësojë dhe të ulë aftësitë e tyre konjitive për të përballuar dhe zgjidhur problemet. Njerëzit me natyrë të qetë, mund ta marrin më shtruar situatën stresuese dhe të reagojnë në mënyra të ndryshme. Ata mund të mërziten por nuk inatosen. Mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj situatave dhe si i zgjidhin problemet ka efekt në zhvillimin e tyre konjitiv.
Por, stili i jetës së të rriturve mund të parakushtëzojë kursin e KI në moshën e rritur të vonë. Njerëzit që jetojnë në mjedise stimuluese, veçanërisht ata të cilët vazhdojnë të ndjekin interesa edukative, në përgjithësi i ruajnë aftësitë e tyre intelektuale edhe gjatë moshës së rritur të vonë. Duket se kompleksiteti i mjedisit ku jeton personi lidhet me mungesën e dobësimit konjitiv.
Disa kërkues kanë treguar se inteligjenca fillon të ulet kur të rriturit dalin në pension ose tërhiqen nga përfshirja e plotë në jetën ekonomike dhe sociale të shoqërisë. Varfëria, izolimi social, të mbeturit i/e ve ose divorci, mund të përshpejtojnë moshimin konjitiv tek të rriturit. Ndërsa, ata që vazhdojnë të ruajnë një stil jete të gjallë, plot me aktivitete sociale dhe intelektuale performojnë më mirë në aftësitë e tyre intelektuale.
Të ushtruarit fizik duket se rrit përshtatshmërinë mentale. Kjo është e vërtetë edhe për të rinjtë jo vetëm për të vjetërit. Koha e reagimit të të rinjëve të cilët nuk janë në formën e duhur fizike, përngjan me kohën e reagimit të të rriturve të moshës së vjetër. Gratë e moshës së mesme të cilat vrapojnë rregullisht 30 minuta në ditë reagojnë më shpejtë sesa gratë që punojnë por nuk ushtrohen fizikisht. Ky avantazh lidhur me kohën e reagimit vazhdon të ruhet edhe në moshën e vjetër. Në një studim të Rikli & Busch (1986), gratë më të mëdha se 60 vjeç të cilat kishin ndjekur programe ushtruese energjike të paktën për 10 vjet rreshtë, reagonin ndaj sinjalit “Kujdes!” me të njëjtën shpejtësi që reagonin edhe studentët e kolegjit.
Kërkues të tjerë sugjerojnë se tre orë ushtrime fizike në javë mjaftojnë për të siguruar përshtatsmërinë respiratore – që natyrisht ka efekt në performancën konjitive. Por, të rriturit e moshës nga 55 deri në 88 vjeç të cilët shpenzojnë të paktën 5 orë në javë duke kryer ushtrime të zellëshme, tregojnë një rritje të përshtatshmërisë mentale, përmirësim të kohës së reagimit, funksionim më të mirë të kujtesës dhe arsyetim më kthjellët sesa moshatarët e tyre, të cilët bëjnë një jetë sedentare.
Të ushtruarit e rregullt duket se redukton ankthin dhe tensionin psikologjik. Madje, ul presionin e gjakut dhe rregullon sistemin e qarkullimit të gjakut. Ushtrimet fizike reduktojnë nivelet e kolesterolit në gjak, nxisin shtimin e rruazave të kuqe, përmirësojnë gjëndjen e enëve të gjakut dhe punën e zemrës. Individët e moshës së rritur që gëzojnë shëndet fizik të mirë kapin më shumë pikë në testet e KI.
Edukimi i pandërprerë dhe stili aktiv i jetës janë vlerësuar nga kërkimi si mbrojtësit më të mirë kundër bobësimit të inteligjencës. Ndoshta, popullariteti i sotëm i përfshirhjes së të rriturve në programe fitnesi dhe rregjistrimi i tyre në nivelet universitare të edukimit, do të ketë efektet e saj në ruajtjen e stabilitetit konjitiv tek brezi i ardhshëm i moshës së vjetër.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik…