Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik..
Njerëzit me stres pastraumatik kanë simptoma të qëndrueshme të ngacmueshmërisë autonome të shtuar ku futen: pagjumësia, irritabiliteti, vështirësia për tu përqëndruar, hipervigjilenca dhe përgjigja frikësuese e ekzagjeruar.
Njerëzit që e zhvillojnë stresin pastraumatik kronik janë të preokupuar me paaftësi fizike që rrjedhin nga trauma, ata gjatë kësaj periudhe manifestojnë sipmtoma somatike si dhe ankth kronik dhe depresion.
Shpesh ndodh që njerëzit pas një traume ti perceptojnë ndjenjat e tyre, vetveten, dhe atë që bëjnë jo si zakonisht, por në një mënyrë tjetër.
Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për momente të shkurtra, ku njeriu e humb mendjen, dhe i duket sikur ndodhet në mjegull ose prapa një dritareje. Si për shembull njeriu nuk e di me se çfare ka bërë, ose ku ndodhet.
Papritmas njeriu mendon se familja e vet ose vendi, ku ndodhet në atë moment, të jenë krejt të panjohura, joreale, pa ngjyra. Ose njeriu e ndjen veten apo trupin e vet si të huaj. Njeriu dëgjon sikur po flet me veten e tij, mendon që nuk e ka më veten nën kontroll, dhe i duket vetja si një marionet. Për shembull njeriu ngrihet përbrenda (shtangohet) e bëhet akull dhe nuk mund të levizë më. Të gjitha këto ndjenja dhe perceptime të trupit janë të pakëndshme.
Nëse njeriu në brëndësinë e vet mundohet gjithmonë nga trauma e përjetuar, edhe trupi reagon fizikisht prej kësaj ngarkese emocionale. Shumica e njerëzve tregojnë për probleme me gjumin. Ata kanë probleme ti zërë gjumi. Shpesh atyre iu del gjumi natën, dhe vetëm në orët e mëngjesit munden të bëjnë një sy gjumë. Përveç kësaj shumë njerëz tregojnë, se janë shumë të ndjeshëm (ngacmohen lehtë) dhe bëhen shpejt nervoz, sidomos, nëse nuk kanë fjetur mirë. Edhe për gjëra shumë të vogla ata kanë një shpërthim zemërimi të madh.
Ata trëmben edhe nga zhurmat më të vogla. Ata janë shumë të kujdesshëm dhe e vëzhgojnë me vëmëndje ambientin rrethues. Një problem tjetër i shpeshtë është, që njeriu e ka të vështirë të koncentrohet.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik..