Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik
Trupi i njeriut është programuar që të moshohet fizikisht, dhe njëkohësisht me trupin, në mënyrë të paevitueshme, dobësohen edhe funksionet konjitive. Por, ndërsa pikët lidhur me KI tregojnë ulje me moshim, pikët lidhur me përvojën paraqesin një pamje tjetër.
Dijet dhe aftësitë e grumbulluara ndër vite, duket se janë një rezervë e mirë për njerëzit e moshuar të cilët vazhdojnë të funksionojnë në nivel të lartë edhe pse proceset e tyre mentale ngadalësohen.
Gjykatësit, zyrtarët publik, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, muzikantët, filozofët, psikologët, arkitektët dhe aktorët, vazhdojnë të debutojnë dhe të japin kontribute të rëndësishme sociale edhe pse mund të jenë në të shtatëdhjetat apo tetëdhjetat e tyre. Megjithëse sasia e aktivitetit të tyre produktiv priret të bjerë gjatë dekadave të vona të jetës, cilësia e performancës së tyre, duket se mbetet e qëndrueshme.
Studimet longitudionale dëshmojnë se modeli klasik i moshimit sjell uljen e inteligjencës fluide gjatë moshës së mesme por vazhdon të ngrihet inteligjenca e kristalizuar deri në moshën e vjetër. P.sh., të rriturit e moshës së mesme (dhe të vjetër) mësojnë më ngadalë të daktilografojnë sesa të rriturit e rinj. Por, të rriturit e moshës së mesme që kanë daktilografuar gjithë jetën ose vazhdojnë të daktilografojnë për shumë kohë, janë më të shpejtë sesa të rinjtë. Zhvillimi intelektual gjatë moshës së mesme shpreh lidhjen mes rritjes së përvojës dhe rënies biologjike të aftësive. Për këtë arsye, të rriturit e kësaj moshe rifokusojnë aftësitë e tyre në fushat ku kanë patur sukses, përforcojnë rëndësinë a aftësive të vjetra, dhe zhvillojnë ato aftësi të reja që kompesojnë aftësitë e dëmtuara me kohë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik
(Burimi: Perlmutter, 1988; Simonton, 1990 // Inteligjenca fluide ka të bëjë me gjërat që mësohen rishtazi, gjërat e reja. //Inteligjenca e kristalizuar ka të bëjë me gjërat e mësuara më pare.)