Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Adoleshenca apo rinia është periudhë kalimtare, në të cilën i riu ose vajza me një këmbë qëndrojnë në fëmijëri, ndërsa me tjetrën kanë kaluar në periudhën e pjekurisë. Kjo është periudha mes viteve 13 dhe 18 të jetës.
Për dallim nga fëmijëria e mesme, hyrja në adoleshencë ndiqet me ndryshime të theksuara në të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijës.
Pjekuria në planin biologjik, e cila kulmon arritjen e pjekurisë seksuale, është e përcjellur me ndryshime të mëdha në funksionimin intelektual.
Nga periudha e punës mendore konkrete fëmija hyn në periudhën e ashtuquajtur të menduarit formalo-logjik. Mirëpo, mund të themi se ndryshimet më të theksuara qëndrojnë në planin emocional dhe social. Rëndësia kryesore e kësaj periudhe është gjurmimi për identitetin vetjak.
Kjo është të kërkuarit shpesh të burimit e përleshjeve me ” të rriturit “, të cilët në sytë e adoleshentëve janë të demoduar, të ashpër dhe të përkufizuar.
Adoleshentët kërkojnë shoqëri me moshatarët e tyre, për këtë hyjnë në lidhje të thella dashurie dhe shoqërie. Krizat emocionale, të cilat i përcjellin adoleshentët, i bëjnë ata të ndryshueshëm për përvojat e ndryshme që mund të lënë pasoja të përhershme dhe të vështirësojnë adaptimin e mëvonshëm në periudhën e pjekurisë. Kështu mund të paraqiten shumë sjellje të rrezikshme siç janë alkoolizmi, narkomania, vandalizmi, vjedhja dhe dhuna në rrugë.
Problemet me të cilat ballafaqohet adoleshenti janë mjaft të ndryshme nga ato prej periudhave të mëparshme. Edhe përvoja e re e pjekurisë seksuale sjell me vete mjaft situata konfliktuoze. Në këtë periudhë është shumë me rëndësi të mësohet fëmija lidhur me çështjet e gjinive, kontracepcionit e posaçërisht mbi rrezikun e sëmundjeve seksuale.
Kjo njëkohësisht është edhe periudhë e marrjes graduale të përgjegjësisë për sjelljet vetjake, periudhë e mospërfilljes së autoritetit të të tjerëve, periudhë e njoftimit të mundësive dhe dobësive vetjake, koha e marrjes së vendimeve të par ame rëndësi jetësore të lidhura me zgjedhjen e profesionit, si dhe periudha në të cilën krijohet figura e identitetit vetjak.
Pasi që pesha e detyrave zhvilluese shpesh tejkalon mundësinë e të rinjëve, është shumë me rëndësi që në këtë moment t’u kushtohet rëndësi nevojave të tyre, të jeni të hapur në komunikim dhe të gatshëm për ndihmë nëse ata e kërkojnë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….