Shkruan: Ergita ZAJMI, Psikologe klinike…
‘’Jeta ështe një komedi për ata që e mendojnë dhe një tragjedi për ate që ndjejnë’’
Në jeten e përditëshme terma të tillë si ankthi, stresi, frika apo fobia përdoren shpeshëherë më të njëjtin kuptim pa u thelluar në dallimet dhe përkufizimet e qarta të koncepteve.
-Stresi është një gjendje e caktuar e reagimit të organizmit që karakterizohet nga ankthi dhe probleme të tjera të natyrës psikologjike, fizike dhe fiziologjike.
-Frika ka të bëjë me ndjenjën e frikës në përgjigje të një ngjarjeje të jashtme kërcënuese, ndërsa ankthi është një reagim i brendshëm dhe i panjohur, i tepruar ose i papërshtatshëm ndaj stimujve të jashtëm të realitetit, herë të tjera mund të jetë tërësisht pa një shkak të veçantë.
Ankthi përkufizohet si një ndjesi emocionale e pakëndshme që karakterizohet nga një sens i përgjithshëm i rrezikut, tmerrit dhe një përgjigje fiziologjike të lartë.
Një eksperiencë psikologjikisht ose fizikisht e dhimbshme shoqërohet shpesh me ngacmues të veqantë. Prezentimi i mëvonshëm i këtyre ngacmuesve mund të shpjerë në ankth dhe përpjekje për të shmangur çdo kontakt të mëtutjeshëm me ato eksperienca,si p.sh. nëse një femijë që është kafshuar nga një qen mund të përjetojë ankth kur bie në kontakt me çdo qen, përderisa ankthi e bën atë që t’i shmangë të gjithë qentë dhe në këtë rast fëmija nuk do t’i japë kurrë mundësin vetes që të mësojë se qentë mund të jenë miqësorë.
Për dallim nga ankthi i fëmijëve ankthi i të rriturve varet më pak nga kërcënimi fizik imediat dhe më tepër nga siguria e tyre e përgjithëshme dhe koncepti për veten, nga marëdhëniet ndërpersonale, pritshmëritë sociale dhe nga kompletimi i detyrave..
Reaksionet tona emocionale ndaj stresit shkaktojnë ndryshime fiziologjike, ku këto ndryshime madje rezultojnë me një sëmundje madhore qe zhvillohet dhe përparon në mënyrë të pavarur prej shkakut fillestar të stresit dhe e cila mandej na shpie deri te krijimi i ankthit dhe çrregullimet psiko-somatike. Se si njerëzit reagojnë ndaj situatave stresuse e anksioze psikologët e shumtë e quajnë Sindroma e përgjithëshme e përshtatjes SPP.
Kjo sindromë përbëhet nga tre (3)stade siç janë: reaksioni i alarmit, stadi i rezistencës dhe stadi i rraskapitjes.
–Reaksioni i alarmit– është reagim i menjëhershëm ndaj stresit, trupi pergaditet për një situatë urgjence përmes rritjes së vigjilencës dhe duke aktivizuar sistemin nervor simpatik. Ky stad e detyron individin të kuptojë që stresi është duke u përjetuar dhe ritmi i zemrës e presioni i gjakut rriten, adrenalina çlirohet, tretja ngadalësohet dhe gjaku largohet prej lëkurës.
–Stadi i rezistencës – ka të bëjë me faktin kur stresi është i zgjatur, trupi reziston ndaj efekteve të tij, ku njerëzit besojnë se i kanë kapërcyer pasojat negative të stresit dhe se mund ta zotërojnë situatën në mënyrën e duhur, por stresi është ende prezent dhe ka pasoja negative për trupin ku individi përjeton një turbullim të brendshëm. Nëse situata stresuese vazhdon atëher individi futet në stadin e tretë- të rraskapitjes.
–Stadi i rraskapitjes – Derisa trupi vazhdon të rezistojë ndaj stresit, ai fillon të harxhojë rezervat e energjisë dhe rraskapitjes. Pas këtij stadi individi vjen deri te konsumimi.
Konsumimi është mbarimi i rezervave tona fizike dhe mendore, kjo ndodhë kur sasia e energjisë që del prej trupit tonë është më e madhe sesa ajo që hyn.
Të gjithë njerëzit provojnë në jetë ankth përpara apo pas situatave të caktuara, si një mënyrë pozitive për tu mbrojtur, për sa kohë funksioni i tij nuk bëhet penges për funksionimin dhe mirëqenien psikofizike të individit. Femrat kanë dy deri në tre herë më shumë gjasa të vuajnë nga çrregullimi i ankthit të përgjithësuar më shumë se meshkujt.
Shkruan: Ergita ZAJMI, Psikologe klinike…