Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…..
Profili “Paranoid” është termi i zakonshëm që përdoret në gjuhën e përditshme, për të përshkruar cilindo person, që nga personi xheloz dhe deri tek politikanët që besojnë në rritjen e fuqisë së armatimeve bërthamore.
Paranoja ka të bëjë me dyshimin e pamotivuar dhe mosbesimin kundrejt njerëzve të tjerë. Të dyshuarit mund të jenë tepër të justifikuar dhe përshtatës në situata lufte apo momente të tjera stresante, por personat paranoidë nuk mund të braktisin dyshimet e tyre kur ballafaqohen me të dhëna bindëse kundërshtuese. Ata janë vazhdimisht në roje pasi besojnë se lufta vazhdon gjithmonë. Njerëzit me paranojë janë vëzhgues të mprehtë. Ata kërkojnë qëllimisht të konfirmojnë se janë në rrezik.
Duke mos marrë në konsideratë faktet nuk konfirmojnë dyshimet e tyre, vazhdimisht gjejnë komplote dhe kërcënime që me aq zell i kërkojnë. Njerëz të tillë janë shumë të ndjeshëm, presin mashtrim dhe pabesi nga të tjerët dhe përpiqen t’u shmangen të gjitha befasive duke i parashikuar ato. Individët paranoidë duken të nderë, syhapur, vigjilentë dhe të fshehtë. Shpesh janë persona që ju pëlqejnë gjyqet dhe tepër moralizues. Zakonisht janë pa humor dhe shumë seriozë. Kanë vështirësi të shprehin emocione të ngrohta dhe të tolerojnë idenë se varen nga njerëz të tjerë. Individët paranoidë duken të ftohtë dhe krejt logjikë. Shpesh interesohen për elektronikën, mekanikën dhe mjetet e komunikimit. Ata janë gjithashtu tepër të vetëdijshëm për forcën dhe gradën në hierarkinë zyrtare duke u luhatur midis nderimit dhe mosbindjes kundrejt autoritetit.
Meqënëse për konfirmimin e dyshimit të tyre personat paranoidë përqëndrohen në detaje të pabesueshme, të parëndësishme, në përgjithësi ata nuk janë në gjëndje të shohin pyllin, pasi i pengojnë drurët. Ata kanë gjykim të gabuar për cështje që lidhen me frikërat e tyre. Nën ndikimin e stresit mund të lulëzojnë deluzionet (psh. mendimi se kërkohen nga FBI), ose idetë e referencës. Megjithatë si rregull episodet psikotike janë të shkurtëra dhe të përkohshme. Për të ruajtur ekuilibrin psikologjik individi paranoid beson shumë në mekanizmin mbrojtës të projeksionit
Projeksioni nënkupton, transferimin e motiveve; ndjenjave ose dëshirave që ka një person ndaj një personi tjetër, pasi ai vet-konstaton se janë të papranueshme për të. E gjithë kjo ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, d.m.th individët që përdorin projeksionin nuk dinë se motivet që shikojnë tek të tjerët në të vërtetë janë të tyret. Ata e bëjnë botën e tyre të brendshme të sigurtë, duke e bërë të rrezikshme botën e jashtme. Nuk është për t’u cuditur që njerëzit paranoidë kanë ngjashmëri të theksuar me “demonët” që preferojnë. Gjatë intervistës njerëzit paranoidë ka shumë mundësi të duken si biznesmenë. Ata mund t’ju thonë se nuk shikojnë asnjë arsye përse janë dérguar për t’u konsultuar nga ju. Ndërkohë mund ta shikojnë dhomën me ankth dhe kanë mjaft vështirësi për t’u qetësuar. Preokupimi me detajet dhe bérja e pyetjeve vazhdimisht mund të jetë e vetmja mënyrë për të fshehur frikën dhe mosbesimin.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…..
(Burimi: Psikiatria…..)