Shkruan: PhD (c) Manjola ÇOLLAKU, Psikologe Klinike dhe Këshillimi, Lektore….
Në shoqërinë e sotme blerjet nuk janë vetëm për qëllimin e plotësimit të disa nevojave themelore, siç është nevoja për ushqim, ujë, veshmbathje etj, dhe shumë shpesh bëhen pa menduar dhe pa një nevojë reale për produkte /shërbime. Blerja shpesh është impulsive dhe arsyet prapa saj nuk vlerësohen në mënyrë racionale dhe shumicën e kohës njerëzit as nuk e kuptojnë atë, veçanërisht pasi blerja është bërë një varësi e pranueshme nga shoqëria.
Së bashku me patologjitë e tjera si Çrregullimet e Lojërave të Fatit, Internetit, Varësia ndaj ushqimit dhe Seksit, ÇKB është pjesë e varësive të reja që kanë përfshirë botën. Çrregullimi Kompulsiv i Blerjes është identifikuar në 2% të popullsisë botërore dhe shumica përbëhet nga gra midis 35 dhe 40 vjec, klasa e mesme sociale – edhe pse kjo diferencë gjinore mund të jetë objektive. Në Amerikë pothuajse 6% e popullsisë vuan nga Çrregullimi Kompulsiv i Blerjes, por “tendenca” është në rritje.
Ndërsa interesi për blerjen kompulsive ka lulëzuar gjatë dekadave të fundit, një sërë qasjesh trajtuese, duke përfshirë medikamentet psikiatrike, terapitë individuale, terapitë e çifteve dhe terapitë në grup, janë përdorur me blerësit kompulsiv.
Blerësit kompulsiv shpesh blejnë më shumë nga se mund të përballojnë financiarisht ose blejnë gjëra për të cilat nuk kanë nevojë. Artikujt e blerë në mënyrë kompulsive përdoren rrallë, mund të injorohen, fshihen, kthehen ose dhurohen. ÇKB mund të shkaktojë falimentim. ÇKB zakonisht shfaqet në fillimet e moshës së rritur.
Vëmendje e vogël mjekësore iu kushtua ÇKB -së deri në vitin 1994. Shkaqet e ÇKB janë të panjohura, ajo kryesisht shfaqet në vendet me ekonomi të zhvilluara. Shumë ekspertë besojnë se ÇKB është një përpjekje për t’i shpëtuar vetëvlerësimit të ulët dhe emocioneve negative. Të tjerë sugjerojnë se blerësit kompulsivë janë duke shmangur çështje të rëndësishme të jetës, duke kërkuar të ushqehen vetë ose duke u përpjekur të projektojnë imazhin e pasurisë dhe të fuqisë.
Disa autorë kanë identifikuar faktorët e mëposhtëm si influencues për sjelljen kompulsive në blerje: ankthi, përsosmëria, vetëvlerësimi i ulët, imagjinata, impulsiviteti, pavendosmëria, varësia nga të tjerët dhe opinionet e tyre të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin për miratim.
Blerja kompulsive ka tre karakteristika kryesore: impulse të parezistueshme për të blerë, humbje të kontrollit mbi këto impulse dhe këmbënguljen me një sjelljeje të tillë pavarësisht nga pasojat negative.
Impulset janë shqetësuese, konsumojnë kohë dhe rezultojnë në probleme me funksionimin social, profesional ose financiar. Ashtu si kërkimet shkencore dhe praktika klinike sugjerojnë se Çrregullimi Kompulsiv i Blerjes është një problem me pasoja të rëndësishme emocionale, sociale, profesionale dhe financiare, duke përfshirë borxhin, fërkimet familjare, problemet në vendin e punës dhe vështirësitë psikologjike si turpi, fajësia, depresioni, dhe zemërimi.
Shkruan: PhD (c) Manjola ÇOLLAKU, Psikologe Klinike dhe Këshillimi, Lektore….