Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Depresioni përfshin jo vetëm mjerimin ne gjendjen shpirterore dhe mërzitjen, por gjithashtu pakësimin e fuqisë dhe të energjisë, si edhe një ndjenjë refuzimi dhe imazhi negativ për veten.
Depresioni mund të përjetohet herët, që në vitin e dytë dhe të tretë të jetës. Studimet te fëmijët e institucionalizuar tregojnë që faza fillestare e pikëllimit akut dhe qarjes shpesh pasohet nga një fazë e karakterizuar nga:
- pakësim i aktivitetit fizik
- qarje monotone me zë të ulët sesa bërtitje
- tërheqje sociale
- ulje e kërkesave ndaj njerëzve në ambient
Sipas Robertson dhe Bowlby domethënia e kësaj sjellje është ndjenja e humbjes së shpresës, ata e kanë përshkruar këtë gjendje si dëshpërim. Spitz ka përshkruar “depresionin anaklitik” te fëmijët e rritur në institucione me cilësi të ulët.
Megjithatë te fëmijët e vegjël mërzitja tenton të jetë një përgjigje më pak e diferencuar. Tipi adult i depresionit me vetëfajësim, ide reference, prapambetje psikomotore dhe mendime suicidale është i zakonshëm gjatë adoleshencës (megjithëse ndonjëherë mund të ndodhë në vitet e hershme). Gjatë adoleshencës rritet shpeshtësia e depresionit tek të dy sekset, por më tepër te femrat. Rreziku i suicidit gjithashtu rritet gjatë adoleshencës.
Manifestimet bazë të depresionit te fëmijët janë të ngjashme me ato që shihen te të rriturit, por lidhen me shqetësimet tipike të fëmijëvë, siç janë shkolla dhe loja.
Shenjat mund të jenë:
- Pamje e trishtuar
- Apati dhe tërheqje
- Pakësohet aftësia për tu kënaqur
- Ndjenjë refuzimi dhe mosdashje nga të tjerët
- Ankesa somatike (dhimbje koke, dhimbje barku, pagjumësi)
- Vetë fajësim persistent
Reaksionet depresive kronike shoqërohen me:
- Anoreksi
- Humbje në peshë
- Humbje e shpresave, dëshpërim
- Ide suicidale
Depresioni te fëmijët mund të maskohet nga hiperaktiviteti, sjellja agresive apo antisociale. Ekstremet e irritabilitetit dhe të agresionit, në vend të humorit depresiv janë pothuajse të zakonshme.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….