Shkruan: Ana KOTRO, Logopede…
Fëmijët me diagnozën e çrregullimeve të spektrit të autizimit duhet të vlerësohen nga një mjek ekspert në vlerësimin dhe menaxhimin e këtyre çrregullimeve.
Nuk është e rrallë për këta fëmijë të kenë edhe probleme shëndetësore të tilla si konstipacioni, diarrea, refluksi, probleme të gjumit, probleme të të ushqyerit etj. Duke qenë se për autizmin nuk ka një kurë, trajtimi i problemeve që zhvillohen përgjatë këtyre çrregullimeve mund të shtojë rehatinë e fëmijës.
Kur fëmijët ndjehen më mirë, ata mund të jenë më pranues ndaj të mësuarit dhe, rrjedhimisht, mund të përfitojnë më shumë nga ndërhyrjet edukative dhe terapeutike.
Rreth 15% e fëmijëve me çrregullimeve të spektrit të autizimit kanë një sindromë të identifikueshme (për shembull sindromën X i brishtë). Mjeku i familjes mund të ndihmojë që prindërit apo kujdestarët të drejtohen te gjenetisti, i cili mund të rekomandojë edhe testet e duhura. Nëse identifikohet një sindromë specifike, kjo do të jepte informacionin e duhur për një të kuptuar më të mirë të fëmijës, si dhe për të ndihmuar familjen në bërjen e planeve.
Specialisti i të folurit-gjuhës, është i trajnuar në vlerësimin, trajtimin dhe parandalimin e problemeve të komunikimit. Ai vlerëson dhe trajton vështirësitë në të kuptuarin dhe shprehjen e gjuhës, si dhe problemet me të folurin (artikulimi dhe rrjedhshmëria). Duke qenë se komunikimi me gjeste dhe fjalë është i vështirë për fëmijët me autizëm, këta specialistë luajnë shpesh një rol themelor në skuadrën ndërhyrëse. Ka raste kur këta specialistë kanë njohuri edhe në trajtimin e çrregullimeve të të ngrënit, gjë që i ndihmon të kuptojnë qëndrimet e disa fëmijëve autikë që hanë një numër të kufizuar ushqimesh, apo kanë vështirësi të tolerojnë disa shije apo përbërje ushqimore.
Terapistët e lëvizjes fokusohen në dhënien e ndihmës për të zhvilluar aftësitë motorike fine (lëvizjet përfshirë muskujt e vegjël të krahëve, duarve dhe fytyrës), procesimin e informacionit nga shqisat dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme të tilla si të ngrënët, të veshurit etj. Për fëmijët me autizëm, këta terapistë ndihmojnë shumë për të zhvilluar aftësitë për lojë, të mësuarin e aftësive të vetëkujdesit, si dhe në përballjen me diferencat në përjetimin e ndjesive të ndryshme.
Fizioterapistët janë të trajnuar për trajtimin e problemeve me lëvizjen dhe qëndrimin. Ndryshe nga të parët, këta fokusohen në zhvillimin e aftësive motorike të mëdha (lëvizje që përfshijnë muskujt e mëdhenj të duarve e këmbëve). Këta fizioterapistë mund të ndihmojnë fëmijët me autizëm që kanë vështirësi në koordinim, balancë apo planifikim të lëvizjes kundrejt ambientit, si dhe pjesëmarrjen në lojëra dhe aktivitete rikrijuese.
Terapistët e sjelljes ndryshojnë në backroundin e tyre të formimit. Përgjithësisht terapistët e sjelljes aplikojnë Analizën e Sjelljes së Aplikuar (ABA), e cila është një qasje e organizuar e ndryshimit të sjelljes ku nxiten sjellje pozitive, mësohen aftësi të reja duke shpërblyer aftësitë që terapisti kërkon të zhvillojë.
Qëllimet e kësaj terapie janë rritja e sjelljeve pozitive, të mësuarit e aftësive të reja, rënia e sjelljeve të padëshiruara, si dhe ndihma për fëmijët që t’i përdorin këto aftësi të reja në shtëpi, shkollë, apo në situata ku ata luajnë apo ndërveprojnë me të tjerë.
Shkruan: Ana KOTRO, Logopede…