Shkruan: Aferdita BANO, Psikologe Këshillimi
Të bërit nënë nuk është një ngjarje që mbaron me proçesin e lindjes së fëmijës, por është një proçes që zgjat përgjithmonë. Çdo fazë që kalohet nga nëna e re dhe i vogli i saj do të kërkojë përpunim të emocioneve dhe përjetimeve të reja. Ky rol në të njëjtën kohë do të kërkojë edhe ndryshime e modifikime të çka më parë shihej si fikse dhe e pandryshueshme.
Bëhet fjalë për një fazë delikate ku përfshihet marrdhënia e nënës me foshnjen. marrdhënia me bashkëshortin e familjen. Shtatzënia në vetvete është një moment shumë impenjativ për një grua, ndryshimet fizike dhe psikologjike mund ti hapin vend dyshimit,frikës dhe pasigurisë. Në këtë moment gruaja kërkon ekuilibra të rinj, lindin pyetje që kërkojnë përgjigje.Të gjitha këto aspekte janë shumë të rëndësishme për të njohur veten dhe botën duke filluar nga kuptimi i ngjarjes unike si është lindja e një jete të re.
Është e vërtetë që lindja e një nëne të re fillon me lindjen e fëmijës por lindja është edhe fillimi i një rrugëtimi eksplorues që nuk ka fund. Gruaja në fakt pëson një proces delikat transformues evolutiv të identitetit të saj femëror ku ajo konfrontohet me dimensione të reja të qënies së saj. Në këtë moment nëna e re rivendos një marrdhënie me femëroren e saj dhe ripërjeton marrdhënien me nënën e saj. Duke përjetuar emocionet e kësaj marrdhënie të rëndësishme ajo mund të bëhet e vetëdijshme për emocionet e saj ti shprehë ato dhe ti harmonizojë duke bashkuar pjesëzat e konflikteve apo plagëve nëse kanë ekzistuar të tilla. Nëna e re nëpërmjet këtij udhëtimi në të kaluarën e saj mund të vendosë nëse do të fusë ose jo në valixhen që do ta shoqëroje në rrugëtimin e saj kujtime apo dicka pozitive nga marrdheniet e saj të kaluara dhe në fund do tërealizojë transformimin breznor nga bijë në nënë.
Për këtë të lindësh një fëmijë është si të lindësh edhe një dimension të ri të vetes ose një identitet të ri atë të nënës dhe kjo ndodh në çastin e lindjes së foshnjes por që zhvillohet në mënyrë graduale. Ndonjëherë është një rrugëtim që sjell edhe dhimbje moment i lindjes paralelizohet me një dritare që ka qënë gjithmonë e mbyllur dhe papritur hapen të dy kanatat lejon të hyjë drita ,e reja. E reja duhet të integrohet brenda një personaliteti ekzistues dhe sjell shpesh humbje të aspekteve ose pjesëve tona që nuk janë më funksionale për këtë rol të ri.
Të ndjehesh e gabuar-Eksperienca e fëmijës së parë e vë gruan para detyrave prindërore dhe perkujdesës që janë shumë impenjative dhe nëna e re përfshihet në këtë rol tërësisht në të gjitha planet e ekzistencës së saj si në planin fizik, mendor,emocional por edhe atë shpirtëror apo ekzistencial (kuptimit të jetës).Nënat e reja përjetojnë kontraste në emocione të cilat nuk i shprehin sepse shpesh nuk kanë pranë persona që ti dëgjojnë
Është natyrale që një grua të ndjehet e gabuar e papërgatitur dhe ndonjëherë e papërshtatshme në kryerjen e ketyre detyrave të reja dhe pyet shpesh veten nëse mënyra e saj e prindërimit është më e përshtatshmja shpesh këto janë kriteretë gjykimit të brendshëm që përshkruajnë mënyrën që kemi për të fituar respektin e të tjerëve duke lënë mënjanë disa pjesë të egos të pangopura për përsosmëri aspekte këto të ngurta të cilat na bëjnë të humbim besimin te aftësitë tona.
Nënat e reja përjetojnë ndryshime të vazhdueshme humori kundrejt foshnjeve të tyre duke kaluar nga momente butësie e ngrohtësie në moment ku mbizotëron inati dhe dëshpërimi. Kalimi nga kënaqësia në dëshpërim është një eksperiencë e zakonshme ajo që ngelet e vështirë është shprehja e këtyre emocioneve, të flasësh hapur me njerëzit përreth për ndjenjat pa u ndjerë të paragjykuar. Këto ndjenja në aparencë ambivalente janë të kuptueshme për rolin e ri të nënës dhe do të shfaqen vazhdimisht në përditshmërinë e gruas Mbështetja nga njerëzit përreth është e rëndësishme sepse kur diçka mbahet përbrenda nga frika se mund të bëjë keq bën më shumë keq.
Mbështetja ndaj mëmësisë-Mëmësia është në të njëjtën kohë një gjëndje lumturie dhe vulnerabiliteti, kapacitet dhe burime kreative që gërshetohen me dyshime, ankth dhe pavendosmëri, e rëndësishme është që në këtë fazë gruaja nuk duhet të ndihet vetëm dhe të ketë mundësinë të shprehet e të ndajë më të tjerët si momentet e zbrazëtisë e frikës dhe ato të gëzimit të të qënit nënë.
Për nënat e reja që po kalojnë këtë periudhë delikate është e këshillueshme këshillimi në grup porn ë pamundësi të realizimit të tij shoqërimi me nënat e tjera të reja mundëson përballimin e kësaj eksperience ndryshimi dhe transformimi që bazohet në ndarjen eksperiencave dhe mbështetjen relacionale.
Në këtë mënyrë nëna e re ndjehet më afër eksperiencës së nënave të tjera dhe konfrontohet në mënyrë jo paragjykuese e kështu arrin të shpreh gëzimet, frikërat dhe pasiguritë duke qenë se ndarja e eksperiencave ka në vetvete një vlerë të rëndësishme terapeutike.
Ndarja e eksperiencave të mëmësisë lejon hyrjen në botën e brendshme me delikatesë, grupet e nënave të reja i lejon ato të zbulojnë mënyra të ndryshme për të përballuar situata të ngjashme gjithashtu konfrontimi mes nënave ngjall kuriozitetin, ngrihen pyetje dhe u jepen edhe përgjigje të cilat edhe pse larg së vërtetës ndihmojnë në kapërcimin dhe relativizimin e vështirësive.
Shkruan: Aferdita BANO, Psikologe Këshillimi