Shkruan: Klaudia SINANI. Logopede….
(Këshilla për prindërit për fëmijët me zhvillim të vonë të të folurit)
Fëmija juaj thotë pak fjalë, por i thotë ato rrallë, njëherë ose dyherë dhe vetëm kur ai dëshiron. Por nga ana tjetrër teksa vrapon në çdo cep të shtëpisë e dëgjoni tek lëshon britma të ndryshme. Kjo situatë ju vendos para pikëpyetjeve dhe frikës se përse fëmija juaj nuk po flet si moshatarët apo pse nuk komunikon me ju.
Pakëz motivim dhe një sërë aktivitetesh do t’ju ndihmojnë ju dhe fëmijën tuaj për të vendosur ndërveprimin mes jush dhe ta nxisë atë të flasë.
Mos u dekurojoni, këto këshilla dhe “dredhi” do e bëjnë ditën tuaj edhe më të këndshme.
–Pauza e nevojshme – Eshtë e këshillueshmë të bëhët një pauzë ndërkohë që luani apo komunikoni me fëmijën tuaj, në mënyrë që t’i lini hapësirën e nevojshme që fëmija të artikulojë. Ndërkohë prisni derisa fëmija të thotë fjalën që ai e njeh dhe më pas vazhdoni aktivitetin.
Për shembull, përsërisni disa herë komandën , si “Gati, vrapo”, para se të bëni një veprim tjetër, përsëriteni dhe njëherë duke thëne vetëm “Gati,…” dhe prisni disa sekonda që fëmija juaj të plotësojë fjalën që mungon. Është e rëndësishme që mimika e fytyrës suaj të jetë e buzëqeshur. Nëse fëmija nuke thotë fjalën, prisni dhe pak dhe thojeni ju, më pas vazhdoni lojën. Në këtë mënyrë do ta nxisni fëmijën të tentojë të flasë me qëllim që të mos presë gjatë. Njëkohësisht i jepni mesazhin të flasim = të argëtohemi.
–Këndoni dhe bëni pauza të shkurtra – Eshtë një metodë e ngjashme me pauzën e nevojshme. Këndoni këngët e preferuar të fëmijës suaj (në gjuhën mëmë të fëmijës) dhe nxiteni të këndojë bashkë me ju. Këndoni një strofë dhe prisni që ai t’a vazhdojë duke thënë fjalën që duhet, apo të imitojë tingullin apo veprimin pasardhës. P.sh: Plaku McDonalds, Nëse je i gëzuar…, etj.
–Mos parashikoni çdo nevojë të fëmijës suaj – Eshtë ndjesi e mirë kur ju dini çdo nevojë të fëmijës suaj dhe jeni të gatshëm t’ia plotësoni. Por shiheni nga ky këndvështrim, nëse ju jeni aty gati, përse do t’i nevojitet fëmijës suaj të flasë për të treguar nevojat e tij?
Edhe kur e dini se çfarë i nevojitet në atë moment, reagoni sikur nuk keni kuptuar në mënyrë që ta nxisni të komunikojë me ju. Edhe nëse ai përdor një metodë tjetër komunikimi, sit ë tregojë me gisht, t’ju marrë nga dora apo të lëshojë britma, atëherë thojini “Ah po, ti do ________ (topin), thuaj ________ (topi).”
–Sabotimi – Një fjalë e ashpër por metodë e nevojshme, me qëllim për ti dhënë fëmijës hapësirën e nevojshme të komunikojë për të kërkuar ndihmën tuaj. Vendoseni lodrën e tij të preferuar diku ku mund ta shohi por s’mund ta marri vetë. Ose merrni ushqimin e tij të preferuar dhe prisni derisa ai t’ua kërkojë.
–Krijoni hapësirë komunikimi dhe mes vaktit – Mos ia jepni pjatën e mbushur plot, por përgjysmë ose një pjesë të ushqimit dhe pasi ta mbarojë pyeteni: “A do përsëri; Nëse do thuaj _____ (po, prapë, përsëri, më shumë etj.)
Kjo situatë mund ta nervozojë, pasi mund të jetë dhe i uritur. Por përderisa fëmija juaj ka aftësinë të artikulojë, ky është një moment që mund ta shfrytëzoni për ta nxitur atë. Nëse për fëmijën është e vështirë të artikulojë një nga fjalët që ju i keni propozuar më sipër, mund t’i mësoni një gjestikulacion (shenjë) që i korrespondon një nga fjalëve të sipërpërmendura.
–Koha të jemi qesharak – Fëmijët kur hezitojnë të flasin kanë nevojë që t’i praktikojnë sa më shumë tingujt para se të thonë fjalët, për këtë arsye imitimet janë një fillim i mirë (imitimi i kafshëve, imitimi i zhurmave etj).
–Jepjani lodrat një nga një – Merrni lodra me shumë pjesë (puzzle, kuba, Z.Patate etj) dhe uluni të luani sëbashku. Mos i lini të gjitha pjesët e lodrës në tokë por mbajini ju, me qëllim që ai t’ua kërkojë dhe jo t’i marrë vetë.
–Inkurajoni çdo përpjekje të tij – Eshtë e rëndësishme që të inkurajohet çdo përpjekje e fëmijës për të vokalizuar. P.sh: nëse për “makina” thotë “kina” apo për “topi” thotë “popi” ose vetëm “to”.Përgëzojeni!Ky është një hap I madh që fëmija juaj ka bërë. Në disa raste mund t’i thoni: “Të lumtë, ti u përpoqe shumë mirë. Kjo është makina apo topi.” Njëkohësisht ju përsërisni fjalën e plotë duke shmangur korrigjimin e fëmijës.
Këto janë këshilla të përgjithshme që kanë si synim ta ndihmojnë fëmijën tuaj drejt vendosjes së komunikimit. Jini pranë tyre dhe besoni tek ta.
Shkruan: Klaudia SINANI. Logopede….