Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….
“- Ndal,mos e fut lodrën në gojë. ; – Mjaft e hëngre lapsin.; – Shiko si e ke bërë mëngën e bluzës.; – Boll i hëngre thonjtë.”
Shprehje të njohura apo jo?
Faza orale është faza e parë e 5 fazave Frojdiane të zhvillimit të fëmijës. Të gjithë fëmijët në këtë fazë do të përjetojnë zakone si thithja e gishtit, kafshimi i lodrave, të përtypurit si dhe gëlltitja e objekteve jo ushqimore, me qëllim që të eksplorojnë ambjentin ku tashmë bëjnë pjesë. Kjo është një fazë normale për të gjithë fëmijët që nga lindja deri në moshën 18 muajsh. Por nëse ajo vazhdon dhe pas kësaj moshe, atëher mund të jetë tregues i një problemi madhor.
E njohur si “Mania Orale”, disa fëmijë kanë nevojë për më shumë ndjeshmëri në kavitetin oral. Ata mund të hanë thonjtë, të thithin gishtin, të kafshojnë rrobat, të përtypin plastelinë apo majat e lapsave, të fusin lodrat në gojë etj.
Kjo vjen si pasojë se disa fëmijë mund të jenë shkëputur shumë herët ose vonë prej fazës orale të zhvillimit. Mund të kenë aftësi të varfra të motorikës orale, rrjedhje të shumta të pështymës (jargëzim) apo zakone të varfra të higjenës orale. Gjithashtu mund të kemi raste të hipondjeshmërisë orale dhe si pasojë e kësaj, këta fëmijë kanë një nevojë më të madhe për stimulim oral, të cilin e përfitojnë nëpërmjet përtypjes dhe futjes së objekteve në gojë. Por në raste të tjera sjellje të tilla vijnë si pasojë e diagnozës vonesë në zhvillim.
Por si mund t’i ndihmojmë fëmijët për të menaxhuar dhe për të reduktuar sjelljet e manisë orale?
Duhet të kemi parasysh se fëmijët nuk e bëjnë sepse duan një sjellje të tillë. Por ata kanë nevojë për ndjeshmëri apo stimulim oral, gjë që i shtyn të kapin objektin më të afërt për ta përmbushur këtë nevojë. *T’i ndaloni ata, kjo nuk ka për ti ndihmuar aspak.* Këto sjellje lidhen me ndjeshmërinë dhe janë përsëritëse. Ato vijnë si kërkesë nga vetë trupi i fëmijës, për një input, i cili do t’i qetësojë dhe do t’u japë kënaqësi.
Eshtë e rëndësishme të kuptohet se pse fëmija ka këto sjellje të manisë orale.
Ndër faktorët më të zakonshëm janë:
– stresi dhe ankthi (fëmija i përdor këto sjellje si mekanizma për t’u përballur me to dhe për t’u qetësuar)
– si zakone për të shfaqur mërzitjen
– nevojat sensoriale (në rastin e fëmijëve në spektrin e autizmit)
– hipondjeshmëria orale
– për t’u përqëndruar për realizimin e një aktiviteti të caktuar dhe për t’u organizuar
– kruajtje të mishrave të dhëmbëve ose dhimbje të dhëmbëve (e cila kalon me qetësimin e dhimbjes)
Duhet theksuar se t’i ndaloni ata, nuk do t’i ndihmoni. Ju nuk mund t’ua ndaloni menjëherë këto zakone por mund t’i menaxhoni duke i reduktuar ato.
Ofrojini fëmijës një objekt të sigurt për ta përtypur, duke bërë kalimin nga futja e çdo objekti jo ushqimor në gojë (të cilët mund të jenë të rrezikshëm për shëndetin e fëmijës) në një objekt si Chew Tubes apo Grabbers për ta përtypur.
Zëvendësojeni furçën normale të dhëmbëve me furçë elektrike.
Ofrojini fëmijës terapi okupacionale dhe logopedike, në mënyrë që t’i ofroni asistencën e duhur për trajtimin e manisë orale.
Gjithashtu aplikoni strategji vetëqetësuese me qëllim përmirësimin e gjendjes emocionale të fëmijës.
E mbi të gjitha tregohuni të vendosur dhe kini durim, pasi fëmijët kanë nevojë për mbështetjen tuaj.
Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….