Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik
Në Greqinë dhe në Romën e lashtë, oratorët mbanin fjalime të gjata pa pasur fare nevojë për shënime. Si ia bënin? Ata përdornin disa metoda për kujtesën. Këto metoda janë strategji ose marifete që na ndihmojnë ta ruajmë informacionin në kujtesën afatgjatë dhe ta sjellim ndër mend kur na duhet.
Një teknikë e tillë e përdorur nga oratorët e lashtë grekë ishte metoda e vendndodhjes, të cilën për herë të parë e përshkroi në vitin 477 p.e.s. poeti grek Simonidi që ishte nga Kea e sotme. Kjo teknikë ndërthur parimet e organizimit, përfytyrimit dhe lidhjes së materialit të ri me diçka të njohur, siç mund të jetë një pikë referimi në rrugë ose një objekt në dhomë a në shtëpi. Njerëzit që përdorin këtë teknikë bëjnë një shëtitje imagjinare dhe i lidhin pjesët e një informacioni që duan të mbajnë mend me disa pika referimi a objekte. Kur dëshirojnë të sjellin ndër mend informacionin, thjesht i rikthehen së njëjtës shëtitjeje imagjinare.
Studimet e bëra me njerëz që kanë zënë vendet e para në Kampionatet Botërore të Kujtesës, që zhvillohen çdo vit, kanë treguar se kujtesa e tyre fantastike nuk vinte falë ndonjë inteligjence të jashtëzakonshme. Për më tepër, shumica e pjesëmarrësve ishin 40-50-vjeçarë. Cili ishte sekreti i tyre? Shumë thanë se kjo zotësi vinte ngaqë i përdornin mirë këto teknika që ndihmojnë kujtesën.
Po,mundta stërvitësh dhe ta forcosh kujtesën. Siç e kanë treguar studimet, kujtesa jonë i ngjan një muskuli. Sa më shumë ta përdorim aq më e fortë bëhet, madje edhe në moshë të thyer.
DISA KËSHILLA
▪ Vëre në punë kujtesën duke mësuar gjëra të reja, si ndonjë gjuhë të huaj ose vegël muzikore.
▪ Përqendroje vëmendjen te gjërat më të rëndësishme.
▪ Mëso teknika që ndihmojnë kujtesën.
▪ Pi shumë ujë. Çhidratimi mund të shkaktojë pështjellim në mendje.
▪ Fli sa duhet. Gjatë gjumit truri ruan informacionet.
▪ Bëj pushime të shkurtra gjatë studimit. Stresi shkakton çlirimin e kortizolit i cili mund të prishë bashkëveprimin nervor.
▪ Mos abuzo me alkoolin dhe mos pi duhan. Alkooli e dëmton kujtesën afatshkurtër dhe alkoolizmi mund të çojë në mungesën e tiaminës, një lloj vitamine B, thelbësore që kujtesa të punojë siç duhet. Kurse duhani pakëson oksigjenin që shkon në tru.*
BËJ NJË SHËTITJE IMAGJINARE-Si mund ta mbash mend një listë ushqimesh me disa artikuj, si bukë, vezë, qumësht dhe gjalpë? Me anë të metodës së vendndodhjes mund «t’i shohësh» teksa bën një shëtitje imagjinare në dhomë.
Përfytyro sikur jastëku i karriges është buka
sikur në abazhur po ngrohen vezët
sikur peshku i akuariumit po noton në qumësht
sikur ekrani i televizorit është lyer me gjalpë
Sa më qesharake ose e çuditshme të jetë imagjinata, aq më mirë. Kur të shkosh në dyqan, bëje edhe një herë këtë shëtitje imagjinare.
HARRESA KA TË MIRËN E VET-Mendo si do të ishte jeta jote sikur të mbaje mend çdo gjë, e rëndësishme ose vogëlimë. Do të të bëhej koka lëmsh, apo jo? Siç thuhej në revistënNew Scientist,një grua që kujtonte thuajse çdo gjë që i ndodhte në jetë «e përshkroi kujtesën e saj të vazhdueshme si ‘të pandalshme, të pakontrollueshme, tepër sfilitëse dhe si një barrë’». E mira është që shumica prej nesh nuk e kemi këtë problem, pasi, siç mendojnë studiuesit, truri ynë ka aftësinë të heqë informacionet që s’vlejnë ose që janë vjetëruar. Në revistënNew Scientistthuhet: «Harresa e mirë është thelbësore që kujtesa të funksionojë plotësisht. Kur harrojmë diçka të dobishme, . . . kjo thjesht tregon se sistemi krasitës po punon më mirë se ç’duhet.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog Klinik