Depresioni është një gjëndje e ulët e disponimit që karakterizohet me humbjen e interesit apo kënaqësisë, ulje të energjisë së individit, ndjenja të fajit , vetëvlerësim të ulët, si dhe në shfaqjen e pengesave në të menduar dhe gjumë gjatë së cilës individët vijnë deri te një pikëllim lidhur me gjëndjen fizike.
Të menduarit është i kufizuar dhe kryesisht sillet rreth një teme, zakonisht rreth temës së shikimit të çdo gjëje nga ana negative, pra domethënë rreth asaj se sa keq është, se sa e dëshpërueshme është situata e tanishme në të cilën gjendet një person dhe sa e pashpresë është ardhmëria.
Depresioni është një gjëndje e ulët e disponimit shumë e përhapur dhe serioze në mesin e adoleshentëve, të rriturve dhe të rinjve. Ai mund të jetë rezultat i dështimeve në shkollë, problemeve familjare, problemeve me bashkëmoshatar, dhe dështimeve romantike po ashtu.
Është normale që gjatë jetës sonë të ndihemi të depresuar për shkak se nuk ja dalim në një provim, apo nuk arrijmë të realizojmë qëllimet tona, por kur kjo gjëndje e dëshpërimit na përcjellë për një kohë më të gjatë dhe intensiteti i saj është vazhdimisht në rritje, atëherë themi se kemi të bëjmë me diçka shumë më shumë sesa një situatë normale dëshpërimi dhe stresi. Shumica e studiuesve pajtohen në këtë pikë se kemi të bëjmë me shenja (simptoma) të depresionit.
Në adoleshencë depresioni është një problem pak i njohur, pasi që sjelljet e ndryshme të papritura të humorit dhe të sjelljes konsiderohen më tepër si manifestime normale të adoleshencës si dhe është e zakonshme që adoleshentët të ndjehen të palumtur dhe të zemëruar por kur hidhërimi i tyre zgjatë më shumë se dy javë atëherë mund të mendohet se një adoleshent vuan nga depresioni.
Depresioni shfaqet te çdo moshë dhe në fëmijërinë e hershme por normat e depresionit fillojnë të rriten në adoleshencë, e cila nuk është gjëndje e pa kalueshme por shoqërohet me rrezikun e përsëritjes.
Shumica e simptomave depresive kanë fillim të parë, gjatë shkollës së mesme, ose para fillimit të shkollës dhe këto probleme mund të keqësohen nga shumëllojshmëria e stresorëve të jetës gjatë shkollës së mesme duke përfshirë parregullsi në gjumë, fluks në marrëdhëniet personale dhe presione akademike.
Suksesi shkollor ka të bëjë me mënyrën se si nxënësit i realizojnë objektivat e kërkuara nga mësimdhënësit ku këtu hyn përkushtimi, angazhimi, performanca , pra diçka e cila vlerësohet në fund dhe ky vlerësim mund të jetë pozitiv e negativ dhe kjo mund të konsiderohet si arritje akademike apo produktivitet akademik i nxënësit qoftë në nivel të lart apo te ulët.
Nxënësi tregon produktivitet të lart akademik kur ai apo ajo do të vlerësohet pozitivisht dhe do rritet vetëbesimi i tij , ndërsa do të ndodh e kundërta për ata që vlerësohen negativisht apo marrin vërejtje nga mësimdhënësit, pra do të fillojnë të kenë vetëbesim të ulët , apo të ndjehen inferior.
Kur pikët e depresionit kanë ndërlidhje qoftë pozitive apo negative me suksesin në shkollë kjo mund të jetë rezultat i shumë faktorëve të ndryshëm qoftë të niveleve të ulta kognitive të nxënësve, mungesës së motivimit por kur kemi të bëjmë me adoleshent atëherë aty hyn ndikimi i klimës familjare në zhvillimin emotiv të fëmijës, sidomos në rregullimin e emocioneve me valencë negative (frika, zemërimi, ankthi etj). Rritja në ambiente familjare stresante, sidomos në fazën delikate të zhvillimit, krijon humusin e zhvillimit të sindromave depresive të mëvonshme.
Lidhur me suksesin në shkollë disa studime kanë treguar se mund të ketë edhe variabla të tjera përveç pikëve depresive që mund të ndikojnë në të, gjinia është një faktorë i rëndësishëm.
Para adoleshencës shkalla e depresionit është e njëjtë te meshkujt dhe femrat. Fillimi i pubertetit rrit rrezikun e depresionit tek femrat më shumë se tek meshkujt, kjo është e lidhur me ndryshimet në nivelin hormonal që ndodhin gjatë gjithë jetës së një femre. Shpjegimet biologjike për dobësi më të madhe të femrave në depresion janë përqëndruar direkt në nivelin hormonal (sidomos estrogjenit dhe progesteronit) në disponimin e femrave. Besimi se femrat janë më të pritura për depresion më shumë se sa meshkujt është për shkak të efekteve të drejtpërdrejta negative të estrogenit dhe progesteronit.
Pasi që nga adoleshenca e vonë, vajzat janë dy herë më shumë të prekura nga depresioni, raporti gjinor mbetet pak a shumë i njëjtë gjatë gjithë moshës së rritur, megjithatë:
Së pari, femrat kanë më pak energji dhe status se sa meshkujt në shumicën e shoqërive, ato përjetojnë trauma të caktuara, sidomos abuzim seksual, ato gjithashtu përjetojnë më shumë ngacmime, mungesë respekti.
Së dyti edhe kur meshkujt dhe femrat përjetojnë të njëjtin faktor depresioni, femrat kanë më shumë gjasa se sa meshkujt të preken nga depresioni për shkak të dallimeve gjinore dhe kjo është e lidhur me shkaqet biologjike dhje psikologjike.
Përkundër asaj që shumë mendojnë depresioni mashkullor ka shkaqe dhe efekte që janë të ndryshme nga depresioni i femrave. Për shkak të standardeve të vendosura nga shoqëria, si dhe reagimin e meshkujve me simptomat e depresionit, depresioni mashkullor është i njohur të jetë shumë më i ndryshëm se depresioni i femrave arsyeja e parë pse depresioni mashkullor është më i ndryshëm se ai i femrave është për shkak se ka një qasje të ndryshme të roleve gjinore në shoqëri përderisa femrat janë më të lira dhe më të hapura me ndjenjat e tyre përballën më tepër me entuziazëm dhe ndjenja negative që çojnë në depresion, meshkujt priren të kenë efekt të kundërt.
Roli i mashkullit në shoqëri është i udhëhequr shpesh nga rolet kulturore të cilat kërkojnë që ai të jetë i ashpër dhe i fortë për të vendosur mënjanë emocionet. Idea e të qënit i ashpër dhe kontrollimi i emocioneve është një nga faktorët që çojnë në depresion meshkujt. Për shkak të kësaj depresioni mashkullor është i lidhur zakonisht me kritika të vetvetes dhe represionin e ndjenjave. Femrat në anën tjetër, zakonisht kanë probleme depresioni të bazuar rreth vartësisë dhe vetëbesimit të ulët, kjo bëhet e dukshme në veprimet që janë marrë, si dhe ndjenja dominuese e parë përmes depresionit mashkullor.
Meshkujt i referohen depresionit me: lodhje, nervozizëm, zemërim, humbje të përqëndrimit, prishje të gjumit si dhe ligështimit të ndjenjave. Femrat në anën tjetër, shkojnë drejt trishtimit, fajit, mungesës së shpresës apo pafuqisë. Një dallim gjinorë mjaft i njohur tek adoleshentët në depresion është se meshkujt me depresion duken shumë më nervoz, kurse femrat duken të pikëlluara dhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë emocionale dhe kujdesit që i kushtojnë çdo imtësie, përballën më tepër me entuziazëm dhe ndjenja negative që përfundimisht çojnë në depresion.
Shkruan: MSc. Albina Gashi, Psikologe Shkollore