Shkruan: Aferdita BANO, Psikologe Keshillimi…
Jeni një prind ,e jo një mjek apo shkencëtar por kur flitet për fëmijën tuaj eksperti më i rëndësishëm jeni ju. Ju më mirë se kushdo e njihni atë fytyrë të vogël dhe mund të dalloni nësë ndriçohet kur ju hyni në dhomë. Ju më mirë se kushdo tjetër njihni gugatjet dhe belbëzimet e tij të para dhe ju mund të dalloni një heshtje të papritur. Ju e dini mirë si sillet fëmija juaj kur sheh nje lodër të re, kur takon një fëmijë të panjohur, kur merr pjesë në një festë apo kur shkon në një qëndër komerciale. Ju e dini se çfarë e bën për të qeshur e cfarë për të qarë. E nëse pediatri ka parë qindra raste fëmijësh të sëmurë me otit apo dhimbje fyti edhe ju dicka keni parë. Keni parë fëmijë që luajnë në park e që zihen me njëri tjëtrin gjatë drekave familjare. Keni parë fëmijë të vegjël që luajnë kukafshehti e më të mëdhënj që shkojnë në kopësht. Si prindër edhe ju ndoshta keni krahasuar fëmijën tuaj me ta, keni vënë re sa i ndryshëm apo i ngjashëm është ai me ta.
Natyrisht, jo çdo ndryshim përbën alarm për një crregullim të mundshëm pasi çdo fëmijë është unik. Por nëse instikti juaj ju bën të kuptoni se diçka nuk shkon, se diçka te fëmija juaj është komplet ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, apo dicka esenciale te ai ka ndryshuar besojini instiktit tuaj dhe kërkoni ndihmë te ekspertët përkatës.
Të gjithë prindëritt mund të shqetësohen për zhvillimin e fëmijëve të tyre e shpesh kërkojnë siguri te ekspertët e fushës, në fakt studime të kryera në sallat e pritjeve të pediatrive tregojnë se 70% e prindërve kanë dyshime mbi zhvillimin dhe sjelljen e fëmijës së tyre, por kur dicka nuk shkon frikërat e dyshimet bëhen gjithmonë më persistente. Disa prindër thjesht e ndiejnë që kur fëmijët janë tepër të vegjël që janë të ndryshëm dhe kjo mund të bëjë diferencën.
Më poshtë listohen disa nga shenjat që prindërit duhet të vënë re te fëmijët e tyre por duke qenë se spektri i autizmit eshtë i gjërë nuk do të thotë që fëmija juaj i përket spektrit. Diagnostikimi i hershëm eshtë propocional me mundësinë e suksesit terapeutik.
Këmbana alarmi:
-Nuk pergjigjet kur e thërrasin në emër
– Nuk ëshhtë i aftë të kërkojë çfarë dëshiron
-Ka vonese në të folur
– Nuk merr komanda
-Nuk tregon me gisht
– Më parë ka folur disa fjalë e tashmë jo më
– Nuk ka të qeshur sociale
– Preferon të luajë vetëm
– Paraqet kontakt të varfër me sy
-Duket se është në një botë të vetën
-Nuk ka interes për fëmijët e tjerë
-Ka kriza agresiviteti
-Është hiperaktiv, jo bashkëpunues
-Nuk di si të përdorë lodrat
-Ka hipersensibilitet për disa pëlhura apo tinguj
-Ka disa rutina të pazakonshme
-Nuk përdor asnjë shprehje spontane deri 24 muaj (jo ekolali)
-Nëse pëson regres në cdo fushë qoftë linguistike apo sociale në cdo moshë.
-Nuk buzëqesh apo nuk manifeston gëzim
Autizmi është një crregullim i zhvillimit që sjell defiçite në zhvillimin gjuhësor dhe atë social. Mund të manifestohet në çdo familje,autizmi nuk zgjedh. Nuk është një sëmundje mendore dhe nuk shkaktohet nga traumat.Shkaku është neurobiologjik dhe simtomat mund të reduktohen nëpërmjet terapisë së hershme.
Shpesh prindërit mendojnë se disa aftësi të humbura të fëmijës mund të rifitohen me kohën dhe presin për muaj të tërë. Por duhet të tregohet kujdes sigurisht pa krijuar panik duke iu drejtuar specialistëve përkatës në mënyrë që të dallojmë rëndësinë e këtyre aftësive të humbura në mënyrë që humbja e tyre të mos sjellë një humbje të kapaciteteve për njohjen e botës që i rrethon.
Shkruan: Aferdita BANO, Psikologe Keshillimi…