Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…..
Mesuesit ndihmes që punojnë me grupe fëmijësh, janë në të njëjtën pozitë si dhe mësuesit, përderisa ata vëzhgojnë sjelljen e fëmijës dhe e krahasojnë atë me sjelljen e fëmijëve të tjerë, kështu që nganjëherë gjykojnë më mirë sesa prindërit. Për më tepër mësuesit dhe ndihmësit, zakonisht janë më pak të lidhur emocionalisht me fëmijën dhe paanësia ndihmon për një vlerësim më të saktë të tyre. Megjithatë sikundër të gjithë vëzhguesit, edhe ata mund të gabojnë. Ndihmësit që merren me fëmijët viktima të dhunës së organizuar mund të kenë një nocion të paramenduar se si mund të paraqiten emocionalisht fëmijët.
Gjithashtu është e nevojshme të vlerësohet ecuria e fëmijës në një numër fushash të ndryshme të funksionimit ose të zhvillimit (të folurit, zhvillimi motor, zhvillimi intelektual, sjellja, temperamenti, sjellja në shoqëri dhe reagimet emocionale). Kështu mund të depërtohet në ecurinë e fëmijës, mund të zbulohen burimet e vështirësive apo vështirësitë që nuk janë të dukshme. Njëkohësisht mund të depërtohet në burimet e fëmijës, gje që mund të lehtësojë ndërhyrjet e ardhshme dhe të ndihmojë për të zgjidhur apo për të zbutur problemet ekzistuese.
Vlerësimi psikologjik profesional i fëmijës synon krijimin dhe kuptimin e forcave dhe të dobësive të fëmijës, që janë të lidhura me faza të caktuara të zhvillimit të tij.
Kjo mbështetet gjithashtu në metoda të provuara dhe të besueshme të mbledhjes së informacionit për fëmijën, për familjen dhe për mjedisin.
Formulimi i planit të vecantë për ndërhyrje është pjesë e domosdoshme e vlerësimit psikologjik.
Vlerësime të mëtejshme ndihmojnë për të përcaktuar efekshmërinë e ndërhyrjeve dhe përparimin psikologjik.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…..