Shkruan: Ertiola LUGJI, Logopede….
Problemet e padiagnostikuara të dëgjimit mund të çojnë në çrregullime të të folurit. Edhe pse ekzistojnë debate rreth mënyrës dhe masës në të cilën humbja e dëgjimit ndikon komunikimin, ky është një fakt që mbështetet nga të gjithë specialistët e fushës (Campbell et al., 2003).
Logopedistët janë të trajnuar që të dallojnë dhe të njohin format jonormale të të folurit, të cilat nuk korrespondojnë me normat e zhvillimit tipik të gjuhës. Më poshtë janë shenjat që vlerësohen nga logopedisti, i cili mund të rekomandojë vizitë tek mjeku ORL për fëmijët e dyshuar me humbje dëgjimi. Këto shenja mund të dallohen edhe nga prindërit e fëmijës, por logopedisti bën diagnozën diferenciale mes një vonese gjuhësore, çrregullimi artikulimi dhe dyshimit për humbje dëgjimi.
Le t’u hedhim një sy sinjaleve të alarmit:
- Përdorimi i tingujve me frekuencë të lartë, në formën e pëshpëritjeve. P.sh., “ashashas” në vend të “ananas”.
- Rënia e tingujve fillestarë të fjalës. P.sh., “opa” për “lopa”.
- Rënia dhe transformimi i bashkëtingëlloreve në mes të fjalës. P.sh., “kauoës” në vend të “kalorës”.
- Shtimi i tingujve të panevojshëm në fund të fjalëve. P.sh. “mu-un” për “mur”.
- Zëvendësimi i tingujve që prodhohen në pjesën e përparme të gojës (/t/, /d/, /n/, /s/) me tinguj që prodhohen në pjesën e pasme të gojës (/k/, /g/, /sh/). Ky është sinjal për zhvillim atipik të të folurit, që nuk lidhet vetëm me vonesat gjuhësore. P.sh. “kaga” në vend të “nata”.
- Bërja e pushimeve në mes te fjalëve, në vendin ku duhet të ndodhen tingujt /p/ ose /t/. P.sh., “pe-ulla / pe-lla” për “petulla”.
- Evitimi i tingujve /k/ dhe /g/, kur ndodhen në grup me bashkëtingëllore të tjera. P.sh., “llouni” në vend të “kllouni”. (KUJDES, ky mund të jetë edhe një çrregullim i thjeshtë i artikulimit, por kur shoqërohet me disa prej karakteristikave të renditura, konsiderohet një shenjë alarmi për humbjen e dëgjimit).
- Thënia e tingujve /p/, /b/, /t/, /d/, /k/, /g/ në fillim të fjalës në mënyrë shumë të lehtë, si pëshpërimë. (Këta janë tinguj që normalisht duhet të dalin në formë shpërthyese).
- Prodhimi i tingujve në mënyrë shumë më të lehtë seç duhet, në fund të fjalës. P.sh., në fjalën “flutur”, ju mund ta dëgjoni si “flutu”; ose “r”-ja fundore dëgjohet me vështirësi. (Kjo diagnostikohet si “çrregullim artikulimi” dhe nuk vjen si pasojë e humbjes së dëgjimit, kur nuk është e shoqëruar nga shenjat e tjera).
- Zëvendësimi i /ç/, /q/, /sh/ me tingullin /t/ ose thënia e /xh/, /gj/ si /d/. P.sh. “deni / djeni” në vend të “qeni”.
- Eleminimi i të gjithë tingujve në fund të fjalës. P.sh. “trekën” për “trekëndor”.
- Shumica e bashkëtingëlloreve janë të turbullta ose jo të sakta.
Disa prej shenjave dalluese të paraqitura më lart, janë më të lehta për t’u dalluar; ndërsa, disa të tjera janë të ngjashme me shenjat gjuhësore të vonesave zhvillimore, duke e bërë të vështirë dallimin mes tyre, aq më tepër kur fëmija shfaq tipare të vonesës në zhvillim.
Duhet theksuar se ekzistojnë dhe disa shenja të tjera gjuhësore, që mund të japin sinjale për problemet me dëgjimin. Por, ato janë të vështira për t’u shpjeguar pa hyrë në detaje teknike apo terminologji, që lidhen me fonetikën (artikulimin / prodhimin e tingujve). Megjithatë, disa tipare të tjera dalluese, edhe pse jo të lidhura me të folurit, janë: përplasja e buzëve, trrak-trruk me gjuhë ose pozicione të hapjes së gojës në mënyrë të ekzagjeruar, edhe kur fëmija nuk po flet.
Sapo prindi të ketë dyshime se dëgjimi i fëmijës po ndikon tek të folurit e tij / saj, duhet t’i drejtohet logopedit. Dhe, nëse logopedi ka dyshime për humbje dëgjimi, duhet t’i drejtoheni një mjeku ORL ose audiologu, për të bërë një vlerësim të plotë të dëgjimit.
Shkruan: Ertiola LUGJI, Logopede….