Shkruan: Ertiola LUGJI, Logopede….
Terapia logopedike ofrohet nga profesionisti i quajtur logoped dhe merret me trajtimin e problemeve të komunikimit. Në pjesën më të madhe të personave që e njohin këtë profesion, është krijuar ideja se logopedi punon vetëm me rastet pediatrike (fëmijët).
Por, sa prej jush e dinë që logo-terapia ofrohet për të gjitha moshat?
Le të shohim më poshtë disa prej problemeve të komunikimit që trajtohen në moshat adulte:
Çrregullimet e të folurit
Apraksia –Një dëmtim që ndodh në tru, i cili nuk formon mesazhin që duhet tek muskujt. Muskujt e të folurit nuk preken aspak në këtë çrregullim, por problemi qëndron tek truri që nuk mund të koordinojë dhe të drejtojë lëvizjet e muskujve. Njihet dhe me emrat: apraksi e fituar e të folurit, apraksia verbale ose dispraksia.
Disartria –Është një çrregullim i të folurit, që vjen si pasojë e dobësimit të muskujve të të folurit nga dëmtimet trunore. Muskujt që preken janë: muskujt buko-facialë, gjuha, muskujt e fytit dhe të kraharorit. Ky është një dëmtim motorik i të folurit dhe mund të prekë në nivel mesatar ose të rëndë punën e muskujve.
Belbëzimi –Njihet ndryshe si çrregullim i rrjedhshmërisë në të folur. Shfaqet në formën e bllokimeve, përsëritjeve ose zgjatimeve të tingujve / rrokjeve / fjalëve. Belbëzimi mund të shoqërohet me ndryshime nga dita në ditë dhe ndikohet shumë nga situatat me peshë emocionale. Ai trajtohet, përmirësohet dhe menaxhohet nëpërmjet terapisë logopedike.
Çrregullimet e zërit –Të gjithëve mund të na ketë ndodhur të kemi ngjirje zëri pas një sforcimi vokal, por ka shumë njerëz, të cilët vuajnë nga sëmundje që ju shkaktojnë probleme të vazhdueshme me zërin. Disa prej çrregullimeve të zërit, që sjellin raste për t’u trajtuar nga logopedi përfshijnë: kolla kronike, lëvizjet paradoksale të kordave vokale, disfonia spazmodike, polipet dhe nodujt e kordave vokale, paraliza e kordave vokale.
Çrregullimet e gjuhës
Afazia – Është çrregullim i gjuhës, që ndodh nga dëmtimet e trurit. Në varësi të vendit ku ndodh dëmtimi, shfaqen dhe karakteristikat e afazisë. Zakonisht preket aftësia për të kuptuar gjuhën, për të folur, lexuar ose shkruar, por ASNJËHERË nuk dëmtohet inteligjenca apo aftësia për të menduar.
Gjendjet shëndetësore
Demenca – Shkakton humbje të kujtesës dhe probleme të tjera të të menduarit, të cilat e bëjnë të vështirë për personin që të mbajë mend informacione, të planifikojnë ditën e tyre apo të komunikojnë si duhet. Aktivitetet e jetës së përditshme preken më së shumti dhe kjo është një gjendje që nuk ka kurë dhe vazhdimisht përkeqësohet. Tipi më i shpeshtë i demencës është Alzheimer.
Kanceri i laringut-Afekton lëvizjen e kordave vokale, që ndodhen brenda laringut (njohur ndryshe si “kutia e zërit”). Ky lloj kanceri mund të shfaqet në kordat vokale ose pjesë të tjera të laringut. Trajtimi logopedik ofrohet pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Kanceri oral (i gojës) –Mund të shfaqet në buzë, nofullën e poshtme ose të sipërme, gjuhë, mishrat e dhëmbëve, faqe ose në hyrje të fytit. Ai shkakton probleme të të folurit, në momentin që modifikon lëvizjet apo elementët e ndryshëm oralë. Njëkohësisht, mund të sjellë probleme me përtypjen dhe gëlltitjen, të cilat trajtohen nga logopedi.
Dëmtimi i hemisferës së djathtë të trurit –Hemisfera e djathtë e trurit kontrollon vëmendjën, kujtesën dhe zgjidhjen e problemeve. Në rastin e dëmtimit të saj preken këto aftësi dhe si rrjedhojë edhe komunikimi me të tjerët. Në shumicën e rasteve, personi me këtë dëmtim nuk është koshient për problemin e tij / saj.
Dëmtimi traumatik i trurit –Ky dëmtim shkaktohet nga një goditje, përplasje e kokës ose kalimi i një objekti të huaj përmes kafkës në tru. Si pasojë e kësaj, preken gjuha, të folurit, komunikimi, përtypja dhe gëlltitja. Këto probleme ndikojnë në shkollë, punë, aktivitetet e jetës së përditshme, prandaj ndjekja e hershme me logo-terapi është trajtimi më i mirë.
Komunikimi opsional
AAC (Komunikimi augmentativ dhe alternativ) –Mund të keni parë dikë që shkruan në një bllok për të komunikuar ose dikush tjetër, që përdor gjuhën e shenjave. Po të tjerë, që shtypin disa figura ose butona në një kompjuter enkas për ta?
Të gjitha këto janë forma të ndryshme të komunikimit augmentativ dhe alternativ (AAC, nga anglishtja “Augmentative and Alternative Communication), të cilat përdoren nga personat me dëmtimë të rënda gjuhësore ose të të folurit. Logo-terapia u mëson teknikat për të përdorur AAC në shkollë, punë dhe të komunikojnë me miqtë dhe familjen.
Trakeostomia dhe ventilimi mekanik –Një person, i cili ka probleme në frymëmarrje, mund t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila konsiston në hapjen e një rruge të dytë në trake (vendi nga kalon ajri), në të cilën vendoset një mjet mjekësor “trach” ose një “ventilator mekanik”. Edhe pse shpëton jetën e pacientit, kjo metodë nuk lejon kalimin e ajrit nga mushkëritë drejt kordave të zërit. Në këtë moment, vjen në ndihmë logopedi, që edukon një mënyrë të re të prodhimit të tingujve.
Shërbime me zgjedhje
Ndryshimi i aksentit –Të gjithë kemi një mënyrë të veçantë dhe karakteristike të të folurit, dhe si të tillë kemi edhe aksentin (theksin) që fitojmë nga vendi ku jetojmë. Logopedia ofrohet për personat që: flasin shqipen si gjuhë të dytë, duan të ndryshojnë theksin e të folurit, profesionistët që duan të komunikojnë më mirë në punë, aktorët që duan të mësojnë një theks për një rol.
Ndryshimi i zërit dhe mënyrës së të folurit për personat transgjinorë
Ka njerëz, të cilët duan të ndryshojnë mënyrën si flasin dhe karakteristikat e zërit. Ndër to janë dhe personat transgjinorë.
Edhe pse terapia hormonale dhe kirurgjia mund ta transformojnë zërin, nevojiten disa seanca logopedike për të mirëmbajtur zërin pa shkaktuar dëme të kordave vokale.
Shkruan: Ertiola LUGJI, Logopede….