Shkruan: Ariele OSMENAJ, Psikologe klinike
Shpesh herë, ndoshta emocionet janë parë dhe shihen si diçka jo pozitive, ose më saktë ato shihen me tendencë për t’i ndarë në emocione pozitive e emocione negative. Mirëpo, emocionet janë thjesht dhe vetëm emocione, ndaj nuk mund t’i ndajmë në pozitive e negative sepse secila prej tyre ka funksionin e vet e shumë të rëndësishëm.
Ato kanë një funksion të rëndësishëm për ruajtjen e jetës dhe vazhdimësinë e normalitetit në aktivitetin e qenies njerëzore. Ne edhe pse hezitojmë, e neglizhojmë për t’i njohur, pranuar e për t’i shprehur haptazi, ato janë pjesë e pandarë dhe e domosdoshme e funksionit të botës shpirtërore. Emocionet gjithashtu, shërbejnë edhe si motive apo si shtysa për veprim, dhe kanë një funksion sinjalizues dhe paralajmërues, arsye pse na shfaqin dy aspekte: aspektin stimulues dhe aspektin frenues apo rregullues. Janë ato që zbulojnë brishtësinë dhe vlerën tonë.
–Emocionet ushtrojnë një pushtet të ndjeshëm në jetën tonë, e ne mund të jemi skllevër të emocioneve tona por mund të jemi edhe zotërues të tyre e kjo ndodhë, kur njeriu është në gjendje të njohë se cilat emocione janë të pranishme, e t’i emërtojë ( t’iu vërë emrin) e pastaj t’i menaxhojë në mënyrë të përshtatshme. Kështu që, nuk mjafton vetëm t’i njohim ato por kërkohet që të angazhohemi edhe si t’i jetojmë e si t’i menaxhojmë, që të mos bëhen pengesë por energji pozitive, reflektim paqeje, dhe ekuilibër i brendshëm.
–Emocionet, janë si pjesët e trupit, asnjëra pjesë nuk është më pak e rëndësishme ose e parëndësishme dhe e panevojshme se tjetra, por secila ka rëndësinë, funksionin e vet, ndaj nga njeriu kërkohet t’i njohë, e t’i pranojë si një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Pasi, në një mënyrë apo në një tjetër, ato kanë peshën e duhur si në sukseset ashtu edhe në dështimet e tij në jetë. Gjë që përforcon faktin se, është me rëndësi t’i njohim, t’i pranojmë, dhe jo t’i shtypim sikurse jemi edukuar, psh: burri nuk duhet të tregohet i dobët, nuk duhet të qajë, nuk duhet të ketë frikë etj. Apo gruaja, nuk duhet të tregojë zemërim, nuk duhet të tregojë trishtim, duhet të ketë frikë, të qajë, etj.
–Kjo e fundit, a nuk është shtypje e emocioneve?! Pse burri nuk duhet të qajë?! Pse nuk duhet të ketë frikë?!.. Pse gruaja nuk duhet të tregojë trishtimin ose pse gruaja nuk duhet të tregojë sesa e fortë është?! Sa e çuditshme është kjo pjesë e edukimit të emocioneve! Ne arrijmë t’i ndajmë emocionet për burra e emocionet për gra, ndërkohë që emocionet janë një, nuk ndahen në emocione grash e në emocione burrash!. Këto ndarje janë vetëm në kokën e njeriut. Nëse një burri i vjen për të qarë, ai duhet ta mohojë këtë?! Nëse ka frikë nuk duhet ta pranojë?! Nëse emocionet lihen anash apo shtypen, ato rrezikojnë t’i fusin personat në një rreth vicioz ndjenjash që krijojnë lodhje për vet personin si edhe për ata që jetojnë me të. Tëvazhduarit kështu, bën që gjithmonë të mbetemi ashtu si duan të tjerët që unë të jem e jo si jam në realitet. Mbetemi individë të pa formuar e të pa pjekur. Emocionet e shprehura, mendohet që ndikojnë shumë në mirëqenien e personit, kurse, emocionet e pashprehura e të shtypura në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndikojnë shumë në aspektin psikik e shpesh edhe në sëmundjet fizike tek individët. Sipas një grupi psikologësh, shprehja ose menaxhimi i emocioneve nuk është një luks por është një nevojë e jetës, sepse një individ që shpreh hapur emocionet, do të thotë se i njeh, i pranon dhe arrin t’i menaxhojë ato. Gjithashtu do të thotë se, është një person që e njeh veten, që ka punuar e vazhdon të punoj me veten edhe pse nuk është e lehtë të menaxhosh emocionet, por nuk është e paarritshme. Menaxhimi i emocioneve është shumë i rëndësishme, por kjo mund të vijë pasi i kemi pranuar, njohur e emërtuar ato. Personi i cili i pranon, i njeh dhe arrin t’u vërë emër është në gjendje t’i menaxhojë. Kjo gjë, reflekton rezultate pozitive jo vetëm për personin por edhe për ata që bashkëpunojnë me të, dhe se ka të bëjë me atë pjesën që: njeriu është ai që drejton emocionet e jo emocionet që e drejtojnë apo udhëheqin njeriun. Rregullimi i emocioneve është shumë i rëndësishëm, si për personin ashtu dhe për të tjerët.. Rregullim nuk do të thotë shtypje apo pengim, por do të thotë njohe, pranim dhe menaxhim. Dimë tashmë, se çdo emocion ka vendin dhe kontributin e vet tek ne, dhe se të gjithë së bashku na bëjnë të njihemi më mirë, ku secili prej tyre jep kontributin e vet në sukses apo në dështim e kjo gjë varet nga ne. Gjithashtu, mund të thuhet se emocionet, janë si notat muzikore, ku asnjëra notë nuk është e pa vlerë dhe e parëndësishme, çka do të thotë se për të krijuar një melodi, ne përdorim notat bazë në kombinim me notat e tjera për të nxjerrë diçka të bukur, e kështu ndodhë edhe me emocionet tona në ne. Të mos harrojmë se, për t’i shfaqur emocionet në mënyrë të përshtatshme kërkohet të nisemi nga tri aspekte: aspekti racional, moral e shpirtëror. Bazuar në këto tri aspekte, ne nuk mund të dështojmë as edhe njëherë në shfaqjen e tyre, por përkundrazi kështu tregojmë pjekurinë tonë, formimin tonë të personalitetit. Kjo pjekuri e personit reflektohet atëherë në rastin kur: personi është i aftë të presë, është i aftë të përshtatet, është i aftë të gjykojë, të vlerësojë, të zgjedhë dhe gjithashtu është i aftë të heqë dorë nga diçka që e pengon për ta jetuar jetën në plotësinë e saj, kjo e fundit është pika më e fortë mund të themi, që e paraqet një figurë të personit të pjekur, duke qenë se të heqësh dorë nga diçka, nuk është e lehtë por jo e pamundur pasi kërkon motivim, vullnet dhe qëndrueshmëri. Emocionet pra, janë ato që e ngjyrosin jetën tonë e mos të kemi frikë t’i shprehim, por të jemi persona që i drejtojmë emocionet dhe jo ato të na drejtojnë neve.
Shkruan: Ariele OSMENAJ, Psikologe klinike
(Burimi: 1.CREATO MICHAELE (2003) Emozioni e sentimenti, Torino //2.TERRY F. PETTIJOHN (1996) Psikologji, Tiranë //3.ORHANI. Z. (2003) Psikologjia emocioneve, Tiranë)