Shkruan: Msc.Ana VELIU, Psikologe Klinike
Lojëra të drejtuara nga prindërit
Si mësuesit e parë të fëmijës suaj, ka shumë gjëra të cilat është më mirë të mos i bëni. Stimulimi i fëmijës është i rëndësishëm, por asnjëherë përpara se ai të jetë gati. Dëshira dhe interesi për detyra të caktuara “akademike” duhet të vijë fillimisht nga fëmija dhe ju thjesht duhet ta ndiqni Në të gjitha lojërat dhe aktivitetet, është e rëndësishme të jeni entuziastë, mbështetës e jo kritikë dhe të vlerësoni e shpërbleni fëmijën me diçka që i pëlqen.
Lojëra gjuhësore
Duke u rritur, fëmija juaj do të mësojë nuancat e kuptimeve të fjalëve, sinonimet etj. Ju mund ta ndihmoni duke shfaqur interes për fjalët, duke u kujdesur për mënyrën me të cilën i përdorni dhe duke u bërë të kuptojnë sa të dobishme janë ato. Për shembull, merrni ngjyrën e kuqe dhe mendoni për gjithë fjalët e tjera që ekzistojnë për të përshkruar të kuqen si e kuqërreme, ciklamin etj. apo për sende me këtë ngjyrë si zjarr, nxehtësi, kuti postare, zjarrikëse, mollë etj. thjesht bëni një listë të tillë me fëmijën tuaj për të zgjeruar repertorin e fjalëve të tij. Një fëmijë mund të kuptojë që në moshë shumë të hershme konceptin e të kundërtës si e nxehtë/e ftohtë, e madhe/e vogël, e mirë/e keqe etj. Për të shkuar përtej kësaj, ju mund të prezantoni koncepte më komplekse, për shembull, fjalë që përshkruajnë gjendje mendore/shpirtërore që lëvizin mes gëzimit dhe trishtimit si: e lumtur, e kënaqur, e qetë, rehat, pa qejf, euforike etj. Elementi kyç këtu është të dëgjoni përgjigjet e fëmijës dhe jo të thoni nëse përgjigja është e drejtë apo e gabuar, por ta përdorni atë për të kaluar tek një pyetje tjetër dhe për të zgjeruar diskutimin. Të gjitha këto e ndihmojnë fëmijën ta shohë gjuhën, leximin, shkrimin dhe përdorimin e fjalëve si një lojë e jo si punë. Më vonë, fëmija mund të fillojë të krijojë kodet e veta.
Lojëra që ndihmojnë imagjinatën
Ekzistojnë disa mënyra me të cilat ju mund ta ndihmoni fëmijën të përdorë imagjinatën edhe kur ju nuk jeni me të. Ndër gjërat më të mira që mund t’i mësoni janë vizatimi dhe piktura, por edhe modelimi me plastelinë. Punoni një copë plastelinë me duar, në të njëjtën kohë me fëmijën tuaj, dhef illoi të tregoni një histori, sado të thjeshtë, që t’ju japë një ide të asaj që do të krijoni. Mund të pyesni për idenë e fëmijës suaj, t’i ofroni tuajën dhe të vendosni së bashku se çfarë do të bëni. Kini kujdes të mbaroni të fundit që t’i lejoni imagjinatës së tij hapësirë të plotë. Më vonë, fëmija juaj mund të krijojë vetë lodra. Kjo nxit jo vetëm krijimtarinë por edhe shkathtësinë e duarve, dashurinë për të bukurën etj. Në shëtitjet tuaja, mund të mblidhni shumë materiale natyrore. Mblidhni degë me forma të bukura, copa druri, pupla zogjsh, gjethe me ngjyra të ndryshme dhe bëni kolazhe kur të ktheheni në shtëpi.
Vizatime
Fëmija juaj do të ndihmohet shumë nëse do t’i krijohet atij mundësia të bëjë modele të gjërave që i ndodhin në jetë, qofshin ato modele vizuale, të kujtesës, planiikimi apo strategjish dhe ju mund ta nxisni këtë zakon të të menduarit që herët me ndihmën e formueseve të thjeshta. Kërkojini fëmijës të bëjë një vizatim, pastaj ta presë në numrin minimal të pjesëve (d.m.th. në dy pjesë), më pas në numrin maksimal të pjesëve dhe ta riformojë përsëri. Ju mund ta ndihmoni fëmijën të kuptojë ndjenjat e veta dhe të të tjerëve duke e mësuar të vizatojë fytyra të gëzuara dhe të trishtuara. Më tej, mund të shihni së bashku fotograi të personave që ai i njeh dhe të përcaktoni si ndihen ata. Kjo jo vetëm e ndihmon fëmijën të kuptojë emocionet, por edhe të ndiejë të tjerët dhe të jetë më afër tyre. Vizatimet mund të përdoren edhe për të zgjeruar mënyrën me të cilën e sheh fëmija botën
Lojëra me “të veshurit si personazhe”
Këto lojëra janë një nga mënyrat më të mira për të zgjeruar imagjinatën e fëmijës. Gjatë këtyre lojërave ai mund të kontrollojë situatat që është i pafuqishëm të kontrollojë në “jetën e vërtetë” e madje edhe të kapërcejë frikërat dhe shqetësimet. E gjitha kjo ndihmon në rritjen e vetëbesimit të tij. Ju mund të mbani në shtëpi një kuti apo kosh me sende të ndryshme si kapele, veshje, stoli dhe këpucë. Fëmijët do të kënaqen shumë me këtë lojë, veçanërisht nëse ftoni edhe shokë të tyre për të luajtur së bashku. Shumica e fëmijëve zbulojnë se aksesorët janë më të rëndësishëm se veshjet dhe se mjaftojnë pak sende për të krijuar një skenar. Ju mund të bëni një kurorë me karton dhe ta mbuloni me letër alumini apo të përdorni si vello copa të vjetra tyli. Gjithashtu, mund të krijoni edhe koleksione kapelash të uniformave të ndryshme si ato të marinarëve, policëve, zjarrikësve etj.
Shkruan: Msc.Ana VELIU, Psikologe Klinike
Burimi: Save the Children