Shkruan: PhD (c) Manjola ÇOLLAKU,Psikologe Klinike dhe Këshillimi,Asistente Lektore..
Terapia konsiderohet si shkëmbim verbal mes dy personave, Terapistit (ekspertit) dhe klientit. Si teraspisti ashtu edhe klienti, punojnë bashkë me qëllimin për të arritur shërimin e këtij të fundit. Qëllimi final i terapisë është të arrijë një ndryshim sinjifikativ/të perceptueshëm të mënyrës së të menduarit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës.
Në dekadat e fundit, si rrjedhojë e ndryshimeve në stilin e jetesës së individëve (jetë më aktive, punë me orë të zgjatura), kërkesave gjithmonë në rritje për terapi dhe pamundësinë fizike dhe monetare për të ndjekur trajtimet tradicionale, disa terapistë e panë të nevojshme ndryshimin e kushteve të terapive tradicionale. Si rrjedhojë lindën të ashtuquajturat Terapitë e shkurtra.
Si fillim duhet të theksojmë se terapi e shkurtër nuk do të thotë terapi magjike apo sipërfaqësore! Terapitë e shkurtra janë serioze dhe sipas evidencave empirike, japin rezultate të qëndrueshme me kohën.
Në terapitë klasike përqëndrimi nuk është vetëm te simptomat por përfshihet një analizë e hollësishme e gjithë historia e klientit. Këto terapi besojnë se kurimi vetëm i simptomave çon në një zbehje të përkohshme dhe/ose një spostim të simptomës, por jo një shërim përfundimtar.
Terapitë e shkurtra përqëndrohen tek kuptimi i problemit në formën më aktuale, simptomat. Këto terapi japin zgjidhje më praktike. Kohëzgjatja e tyre është nga disa javë në disa muaj, me një mesatare 10-15 javë kohë terapi. Terapitë e shkurtra kanë fokus më të qartë, janë direktive dhe orientohen drejt ndryshimit. Terapia e shkurtër përfundon kur terapisti dhe klienti vëne re dhe bien dakord për zhdukjen e shfaqjeve/sjelljes jo funksionale që ka motivuar klientin për terapi.
Faktorët që ndihmuan në përhapjen e terapive të shkurtra:
- Studimet tregojnë se terapitë e shkurtra janë po aq efektive sa terapitë tradicionale
- Ndryshimi në terapi ndodh në fazat e para
- Shpeshherë janë siguracionet mjekësore që rimbursojnë terapitë e shkurtra.
Karakteristikat e terapive të shkurtra
- Jo seanca tradicionale.
- Seanca e parë dhe e dytë mund të jenë pak më të gjata (mund të tejkalojnë 50 minutëshin tradicional) dhe seancat e tjera mund të jenë edhe më të shkurtra se ato tradicionalet
- Fokus në një problem të vetëm, që shqetëson klientin
- Terapisti fokusohet për të sjellë ndryshim
- Terapisti mundohet të zgjidhë shqetësimet e klientin, jo të analizojë faktorët që e çuan në shqetësim
Klientit i jepen detyra shtëpie për modifikimin e sjelljes.
Anët pozitive të terapive të shkurtra:
- Klienti ka rol më aktiv
- Është e fokusuar, me qëllime specifike për këtë arsye pacienti kupton më mirë vështirësinë e tij
- Fokusohet tek verifikimi i aspekteve pozitive të klientit, jo fokus tek aspektet negative
- Klienti kupton më qartësisht çfarë ka përftuar nga terapia
- I leverdisshëm ekonomikisht dhe në kohë
Megjithatë nuk mungojnë skeptikët dhe kritikat e tyre ndaj përdorimit të terapive të shkurtra. Mund të përmendim disa kritika:
- nëse nuk njihen faktorët e vërtetë, shërimi është sipërfaqësor,
- mund të kemi vetëm spostim të simptomave , jo shërim të vërtetë
- mund te kemi shërim sipërfaqësor, për një kohë të shkurtër dhe më pas simptomat do të rishfaqen sërisht (edhe në terapitë tradicionale nuk kemi siguri të moskthimit të simptomave të para terapisë)
Terapi tradicionale apo e shkurtër? Nga varet zgjedhja?
- Nga fusha e ekspertizës së specialistit/terapistit
- Nga objektivat e klientit në terapi
- Nga motivimi i klientit
- Nga vështirësitë e problemit që sjell klienti
- Nga koha në dispozicion
- Nga të ardhurat financiare
Shkruan: PhD (c) Manjola ÇOLLAKU,Psikologe Klinike dhe Këshillimi,Asistente Lektore..