Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….
Një nga sfidat e mirërritjes dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve është tu mësojmë të njohin, të shprehin dhe të menaxhojnë emocionet e tyre në situata të ndryshme.
Në disa raste fëmijët e kanë të vështirë të shprehin atë që ndiejnë në varësi të situatave të ndryshme ku përfshihen. Fjalët ndonjëherë janë të vështira për tu përdorur dhe nga në të rriturit. Madje kur i pyesim ata se çfarë ka ndodhur, çfarë ndiejnë, fëmijët zgjedhin të heshtin, të qajnë ose të bërtasin dhe kjo na e bënë të vështirë që ti kuptojmë ndjenjat e tyre.
Termometri i emocioneve është një mjet që na ndihmon të kuptojmë fëmijën në lidhje me situatën e përjetuar. Nëpërmjet tij fëmija mund të na tregojë se si ndihet. Fillimisht shpjegojini emocionet duke i treguar figurën përkatëse. Madje mund tu shpjegoni dhe eksperiencat tuaja se si jeni ndier apo si keni reaguar kur keni përjetuar një nga emocionet e paraqitura.
Pasi të keni kaluar këtë fazë, tashmë ju mund të vendosni se bashku disa strategji për të menaxhuar emocionet. Dhe këtu hyn në ndihmë Kutia e Ndihmës për Emocionet. Kjo kuti përmban strategji vetë-qetësuese, të cilat do ta ndihmojnë fëmijën tuaj të menaxhojë ndjenjat e veta.
Ndër strategjitë vetë-qetësuese permendim:
- – metoda e Përqafimit – njihet si një nga metodat më qetësuese dhe komfortuese kur jemi të mërzitur. Kërkojini fëmijës suaj të ulët këmbëkryq dhe me krahë të mbështjellë veten e vetë duke e shtrënguar sa më fort te mundet, ose mund ta përqafoni ju dhe shtrëngojeni fort për ti dhënë siguri e mbështetje. Gjithashtu mund t’i ofroni të përqafojë pellushin e preferuar ose të mbeshtillet me batanije e tij derisa të qetësohet.
- – metoda e Tullumbace – imitoni së bashku fryrjen e një tullumbace në. Gjatë kohës që imitoni fryrjen, njëkohësisht hapni dhe krahët sa më shumë të mundeni. Në fund pasi ta keni fryrë tullumbace imagjinar, përplasi duart fort si ju dhe fëmija juaj, duke imituar plasjen e tullumbaces.
- – metoda e Lepurushit – uluni në tokë se bashku me fëmijën tuaj dhe mblidhuni kruspull si një lepurush. Ndërkohë realizoni 3-5 herë frymëmarrje të shkurtra dhe të shpejta. Me pas realizoni 3-5 herë frymëmarrje të thella dhe nxirreni frymën nga goja duke imituar pëshpërimën e gjarprit me një s – të zgjatur.
- – Shëtitja – të ecurit në natyrë është gjithashtu një metodë qetësuese për të menaxhuar mendimet dhe emocionet.
Shënim: Në rastet si situata e qëndrimit në shtëpi që po përjetojmë, mund t’i sugjeroni fëmijës të bëjë disa ecejake përgjatë dhomës ose korridorit.
- – Kënga e Alfabetit – thoni së bashku ose këndoni alfabetin. Provojeni ta këndoni dhe mbrapsht nga Zh – A, është qetësuese dhe argëtuese.
- – Numërimi – numëroni deri në një numër të caktuar, psh deri në 30 duke punuar njëkohësisht me relaksimin e frymëmarrjes të fëmija juaj. Provojeni dhe duke numëruar mbrapsht.
- – metoda e Vizatimit – jepini fëmijës letra dhe lapsa dhe kërkojini të vizatojnë atë që ndien, çfarë e ka mërzitur, çfarë po ndodh brenda tij. Pasi ta përfundojë diskutojeni së bashku.
- – Letra – nëse fëmija juaj është në moshën që shkruan, kërkojini të shkruajë një letër rreth asaj që po ndien dhe çfarë e ka mërzitur. Kur ta përfundojë, kërkojini t’ua lexoje me zë të lartë. Më pas kërkojini ta grisë letrën dhe ta hedhë në kosh, me qellim që të largojë mërzitjen.
- – Meditimi dhe muzika relaksuese – kërkojini fëmijës të ulët ose të shtrihet në një pozicion të rehatshëm për të dhe vendosni në sfond muzikë relaksuese. Përqendrohuni në relaksimin e frymëmarrjes se tij duke I folur me qetësi dhe zë të ulët për një vend në natyrë ku mund të shkonit dhe të luanit.
Teknikat e mësipërme mund ti shkruani ne fletushka të vogla dhe në anën tjetër të fletës të vizaton një figurë simbolike për çdo teknike. Në këtë mënyrë fëmija juaj mund të zgjedhë teknikën që dëshiron pa patur vështirësi.
Vendosni termometrin dhe kutinë e ndihmës për emocionet në një vend të dukshëm dhe të arritshëm nga fëmija që të mund t’i përdorë kur ti nevojiten.
Shkruan: Klaudia SINANI, Logopede….