Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…
Në këtë moshë fëmijët flasin shumë, bëjnë shumë pyetje, shprehin komente, zgjasin me detaje pa fund tregime dhe histori për gjithçka shohin. Për shembull, mund ta dëgjoni duke treguar një përrallë ose një film televiziv, që sapo e ka dëgjuar ose parë. Do të vini re se për çudi në tregimin e kësaj historie ai shton shumë nga vetja, duke shpikur në mënyrë krijuese histori të tjera imagjinare.
Zhvillimi i aftësive gjuhësore është një ndër punët më të mëdha të fëmijëve të kësaj moshe. Në disa raste fëmijët pësojnë një frenim (ndalim) të plotë të të folurit. Ka fëmijë që flasin vetëm në shtëpi, por asnjë fjalë në mjediset e jashtme ose në kopsht.
Kjo ndodh kur ata janë të stresuar dhe të pasigurt, si për shembull kur familja ka ndërruar vendbanimin dhe mjedisi i ri nuk është miqësor. Problemet gjuhësore kur nuk shkarkohen, kthehen në probleme të vërteta psikologjike dhe në ulje të aftësive sociale. Duhet dhënë kurajo dhe duhet ushqyer biseda me fëmijën, për ta bërë të folurin argëtues dhe të gëzueshëm.
Në moshën trevjeçare, fëmija juaj duhet të ketë një fjalor aktiv prej afërsisht treqind deri në një mijë fjalë. Ai do të jetë i aftë të flasë me fjali prej pesë ose gjashtë fjalësh dhe të imitojë tonin e fjalëve të më të rriturve.
Ndonjëherë ai duket sikur dërdëllit pa pushim – një gjë që ndonjëherë mund t’ju shqetësojë, por që është shumë e rëndësishme për mësimin e fjalëve të reja dhe për të fituar eksperiencë, duke përdorur dhe menduar me këto fjalë.
Gjuha e lejon atë të shprehë mendimet e tij, dhe sa më shumë ecën përpara në të folur dhe në kuptimin
e fjalëve, aq më shumë mjete do të ketë ai për të menduar, krijuar dhe për t’ju treguar.
Shumë shpesh, përdorimi i gjuhës është mënyra më e mirë për të shprehur me fjalë humorin e keq, ëndërrat e këqija ose ngjarjet e hidhura. Shumë përvoja të kësaj moshe, siç janë aksidentet, zemërimet, ulërimat, vecimi (të ndenjurit e tepërt vetëm), ndryshimet e shprehjes, ndryshimet e sjelljes duhen shprehur me fjalë.
Jo për gjithçka një fëmijë është në gjendje të ndajë fantazinë nga realiteti. Fëmijët e kësaj moshe kanë nevojë t’iu thuhet me fjalë të thjeshta fantazia e tyre lidhur me vdekjen, sëmundjen etj. pasi ata e kanë të vështirë të kuptojnë ndryshimin e situatave. Për shembull: në mendjen e tyre gjumi, vdekja dhe fluturimi në qiell, ose narkoza e një të sëmuri të sapooperuar, janë e njëjta gjë.
Përpiquni të kini mendjen dhe të shihni se si e përdor gjuhën fëmija juaj, për ta ndihmuar të kuptojë dhe
të marrë pjesë në gjërat që ndodhin përreth tij. Për shembull, ai mund të përmendë sendet më të njohura dhe do të pyesë se si quhen, kur nuk mund t’i vërë emrin diçkaje.
Ju mund ta ndihmoni të zgjerojë fjalorin, duke i thënë dhe fjalë të reja, që ai nuk i kërkon. Për shembull, nëse ai thotë “Makinë e madhe”, ju mund t’i përgjigjeni “Po, ajo është një makinë e madhe gri. Shiko se sa shkëlqen sipërfaqja!”.
Nëse ai po ju ndihmon të zgjidhni lule, përshkruani secilën lule që ai zgjedh: “Ajo është një margaritë e bardhë dhe e verdhë shumë e bukur dhe kjo është një barbarozë e kuqe”. Ju gjithashtu mund ta ndihmoni të përdorë fjalët, për të përshkruar gjërat dhe idetë që ai s’mund t’i shikojë. Kur ai ju përshkruan “gogolin” që ka parë në ëndërr, mund ta pyesni nëse ishtë i nevrikosur apo miqësor. Pyeteni atë për ngjyrën e gogolit, ku jeton ai dhe a ka shokë. Kjo jo vetëm që do ta ndihmojë fëmijën të shprehë mendimet e tij, por do ta ndihmojë gjithashtu të kalojë frikën e tij nga këto imagjinime (përfytyrime) të çuditshme dhe të frikshme.
Fëmija juaj është ende duke mësuar të shqiptojë fjalë si “unë”, “mua”, “e imja” dhe “ti”. Megjithëse këto
fjalë duken shumë të thjeshta, ato janë ide të vështira, sepse tregojnë se ku mbaron trupi i tij, prona apo
autoriteti i tij dhe ku fillojnë ato të një tjetri. Për më tepër, fjalët ndryshojnë në varësi të personit për të cilin po flet. Shpesh ai mund të përdorë emrin e tij në vend të “unë” apo “mua”. Ose kur flet për ju, ai mund të thotë “Ma/Ba” në vend të “ti”.
Nëse përpiqeni ta korrigjoni, (për shembull “thuaj kështu: do të më pëlqente një biskotë”), ju vetëm do ta ngatërroni atë më shumë, sepse ai do të mendojë se ju po flisni për veten tuaj. Megjithatë, kur flisni vetë, përdorini saktë këto fjalë. Kështu për shembull, thoni: “Mua do të më pëlqente që ti të vije” në vend që të thoni “Mamit do t’i pëlqente që ti të vije”.
Kjo jo vetëm do ta ndihmojë fëmijën që të mësojë përdorimin e saktë të këtyre fjalëve, por gjithashtu do ta ndihmojë të kuptojë se ju jeni një person më vete, përveç rolit tuaj si “mami”. Në këtë moshë, e folura e fëmijës tuaj duhet të jetë e qartë, aq sa të tjerët të kuptojnë shumicën e atyre që thotë. Megjithatë, ai mund të shqiptojë keq pothuajse gjysmën e fjalëve që thotë.
Fëmijët në këtë moshë shqiptojnë vazhdimisht gabim fjalë të caktuara, si për shembull: “pishku” në vend të “peshku”, apo “abanije” në vend të “batanije”. Shpesh problemet gjuhësore lidhen me stresin ose aftësinë e fëmijës për të zotëruar jashtëqitjen.Ata nuk duhen qortuar dhe duhen ndihmuar në bisedat me të rriturit, për të kapërcyer vështirësitë.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik…