Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….
Nëse do të ndaleshim tek psikologjia e zhvillimit, do të vërenim se fëmijëria dhe adoleshenca ndahen në katër periudha: foshnjëria, fëmijëria e hershme, periudha e latencës dhe adoleshenca.
Po të analizojmë secilën prej tyre do të shohim se në tre prej fushave të zhvillimit të fëmijës, ndodhin ndryshime të rëndësishme dhe pikërisht: në fushën e zhvillimit psiko-motor, në zhvillimin njohës dhe në zhvillimin socialemocional.
Zhvillimi psikik nënkupton rritjen psikike dhe zhvillimin motorik të trupit dhe gjymtyrëve.
Zhvillimi njohës, konjitiv nënkupton zhvillimin e intelektit të përgjithshëm, por në të njëjtën kohë edhe zhvillimin e perceptimit, të përqëndrimit, të kujtesës, zhvillimin e të folurit dhe të mendimit nga koncepte të thjeshta në ato abstrakte.
Zhvillimi emocional nënkupton zhvillimin e tërësisë së emocioneve ndaj vetes dhe të tjerëve.
Zhvillimi social-shoqëror përfshin njohjen e mënyrave të sjelljes që na japin mundësi të hyjmë në shoqëri me të tjeret dhe rregullojnë e përshtasin jetën e individit në komunitet.
Për të kuptuar ndryshimet e zhvillimit ka rëndësi të vëmë në dukje se zhvillimi njerëzor i një individi është pasojë e veprimit të ndërsjelltë midis maturimit biologjik dhe përvojës së fituar duke mësuar.
Maturimi biologjik nuk shkakton automatikisht rritje emocionale. Kjo do të thotë se zhvillimi psiko-motor është i mundur vetëm nëpërmjet të mësuarit, përsëritjes dhe të qënit aktiv në kontakt me mjedisin.
Nëse nuk do të kishte maturim biologjik për disa lloj proçesesh, veprimesh, atëhere do tëishte e vështirë që këto lloj veprimesh të mësoheshin dhe të praktikoheshin. Veprimet duhet të mësohen kur kanë kohën e tyre, as më herët dhe as më vonë p.sh fëmija biologjikisht është gati të ecë dhe të flasë zakonisht midis vitit të parë dhe të tretë të jetës.
Nëse dikush do të provonte ta bënte këtë proçes më herët apo më vonë sigurisht që do të dështonte.Të njëjtën gjë mund ta themi edhe për kohën kur një fëmijë mëson të shkruajë dhe të lexojë. Duke gjykuar nga pikëpamja e modeleve arsimore, është e rëndësishme të njihen kohët ideale dhe më të përshtatshme të të mësuarit dhe të zotërimit të disa veprimtarive e aftësive. Vetëm kështu një kualifikim apo trajnim mund të jetë i suksesshëm.
Shkruan: Ilir HAVOLLI, Psikolog klinik….